Uji nuk mund të konsumohet në Brekoc dhe Gërqinë të Gjakovës

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova”, ka njoftuar se për shkak të reshjeve të shiut, konsumatorët të cilët furnizohen nga Stacioni i Pompave-Brekoc, si dhe Gërqinë, ku banorët furnizohen me ujë të pijes nga uji burimor, sot pas verifikimit të gjendjes nga ekipet e KRU “Gjakova”, është konstatuar se turbullira e ujit është e ngritur.
KRU “Gjakova” sugjeron konsumatorët në vendbanimet Brekoc dhe Gërqinë që ujin ta përdorin vetëm për pastrim, deri në lajmërimin tjetër.
​Fushë Kosova, Obiliqi, Drenasi dhe një pjesë e Prishtinës pa ujë të pijshëm
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar për gjendjen e furnizimit me ujë të pijshëm pas reshjeve të shiut të ditëve të fundit.
Si pasojë e turbullirave në kanalin e Ibër Lepencit, disa zona kanë mbetur pa furnizim me ujë. Si rrjedhojë është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm në Fushë Kosovë, lagjen “Kalabria” në Prishtinë (një pjesë), Drenas dhe Obiliq.
“Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditët të fundit, janë rritur edhe rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe pastaj të njejtat në disa raste kanë përfunduar te kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për tu trajtuar pastaj për pije ( ITU Shkabaj ). Si shkak i kësaj, kemi nivel të lartë të turbullirës, nivel që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije, konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë. Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, jemi të detyruar të ndërprejmë furnizimin me ujë të pijshëm Fushë Kosovën, lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë( një pjesë), Drenasin dhe Obiliqin”, ka njoftuar Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
Në njoftimin e ujësjellësit thuhet se janë mobilizuar të gjithë teknikisht edhe me akterët e tjerë si NH “Ibër Lepenci” për stabilizimin sa më të shpejtë të situatës. “Deri në orët e pasdites gjendja është e tillë dhe nëse nuk ka reshje besojmë që pastaj stabilizohet”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit./21Media

Back to top button