Unaza e humbur prej 750 mijë eurosh gjendet në fshesën me korrent të hotelit

Një unazë me vlerë 750.000 euro e cila u zhduk në hotelin Ritz në Paris, është gjetur në një fshesë me korrent.

Pronarja, një biznesmene malajziane, e cila ishte mysafire në hotel, paraqiti një ankesë në polici të premten pasi dyshoi se një punonjës e kishte vjedhur unazën, shkruan BBC.

Rojet e sigurisë së Ritz gjetën unazën mes pluhurit në një qese vakum të dielën, raportoi Le Parisien.

Gazeta shtoi se e ftuara kishte udhëtuar për në Londër të premten, por tani do të kthehet në Paris për unazën e saj.

Ritz tha se i ka ofruar edhe tre netë të tjera mysafires për të kompensuar shqetësimin, megjithëse kuptohet se ajo nuk ka ndërmend ta pranojë ofertën.

Në një deklaratë për Le Parisien, hoteli tha: “Falë punës së përpiktë të rojeve të sigurisë, unaza u gjet këtë mëngjes. Dëshirojmë të falënderojmë stafin e Ritz Paris që u mobilizua për këtë kërkim dhe që punon çdo ditë me integritet dhe profesionalizëm”.

Biznesmenja i tha policisë se e la unazën në një tavolinë në dhomën e saj të hotelit të premten kur shkoi për të bërë pazar në qytet për disa orë, dhe kur u kthye ajo ishte zhdukur.

Policia po kujdeset për unazën derisa pronarja ta marr atë.

Nuk është hera e parë që bizhuteritë raportohen të zhduken në hotel.

Në vitin 2018, pesë burra të armatosur sekuestruan mallra me vlerë më shumë se 4 milionë euro nga një dyqan bizhuterish brenda objektit të famshëm.

Më vonë atë vit, një anëtare e paidentifikuar e familjes mbretërore saudite raportoi vjedhjen e bizhuterive me vlerë qindra mijëra paund nga suita e dhomës së saj të hotelit.

Back to top button