UP “Hasan Prishtina” mposht malazezët e “UNIMNE”, në finale përballet me koreanët e “KANGWON”

Ka përfunduar edhe ndeshja e fundit e programit të sotëm në sallën “1 Tetori”, ku edhe është mësuar finalisti i fundit në konkurrencën e meshkujve në Kampionatin Botëror të hendbollit për universitete, “FISU Prishtina 2022”.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka arritur ta sigurojë finalen e këtij turneu, pasi që në gjysmëfinale ka mposhtur malazezët e “UNIMNE-s”
Hendbollistët “Dardanë” kanë arritur që pas 60′ minutave lojë të zhvilluara të shënojnë fitore me rezultat 43:30.
Pjesa e parë është mbyllur me shifrat 21:15 në favor të hendbollistëve kosovarë, ashtu sikurse pjesa e dytë, e cila ka treguar rezultatin 22:15 në favor të tyre.
Më i miri i ndeshjes ka qenë Arbios Mushkolaj me 11 gola të shënuar, kurse më të dalluari te malazezët kanë qenë: Luka Dosljak dhe Jokic Aleksa me nga shtatë gola të realizuara.
Me këtë fitore, UP “Hasan Prishtina” vazhdon në finale të këtij turneu, ku aty do të përballet me koreanët e Universitetit “KANGWON”.

Back to top button