USAID-i urdhëron punëtorët të qëndrojnë jashtë

Punonjësit e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) u udhëzuan të qëndronin jashtë selisë së agjencisë në Washington të hënën, pasi miliarderi Elon Musk njoftoi se presidenti Donald Trump kishte rënë dakord me të për të mbyllur agjencinë.
Punonjësit e USAID-it kanë thënë se kishin kuptuar se 600 punonjës ishin larguar nga sistemet kompjuterike të agjencisë gjatë natës. Ata që ishin ende në sistem morën emaile ku thuhej se “nën drejtimin e udhëheqjes së Agjencisë” ndërtesa e selisë “do të mbyllet për personelin e Agjencisë të hënën, 3 shkurt”, raporton AP.
Zhvillimet vijnë pasi Musk, i cili drejton një rishikim të jashtëzakonshëm civil të qeverisë federale në administratën “Trump 2”, kishte deklaruar herët të hënën se ai kishte folur me Trumpin për agjencinë e ndihmës dhe zhvillimit të SHBA-së, dhe se ai kishte rënë dakord që ajo duhet të mbyllej.
“Duket qartë që nuk është një mollë me një krimb në të. Ajo që kemi është një grumbull krimbash. Duhet hequr qafe të gjithën. Është përtej riparimit. Po e mbyllim atë”, kishte deklaruar Musk në X.
Komentet e Muskut erdhën pasi administrata pushoi nga puna dy shefat e lartë të sigurisë në USAID pasi ata refuzuan të dorëzonin materiale të klasifikuara në zona të kufizuara, tek ekipet e inspektimit të departamentit të Muskut, ka thënë një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar amerikan për Associated Press të dielën.
Anëtarët e Departamentit të Efiçencës Qeveritare të Muskut, i njohur si DOGE, arritën qasje të shtunën në informacionin e klasifikuar të agjencisë së ndihmës, i cili përfshin raportet e inteligjencës, ka thënë ish-zyrtari.
“USAID është një organizatë kriminale. Koha që ajo të vdesë”, kishte shkruar Musk po ashtu në X.