Ushqimet që ndihmojnë në parandalimin e zhvillimit të kancerit të gjirit
Në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë identifikuar rreth 330 raste të reja me kancer, në tre muajt e parë të vitit 2022. Nga kjo klinikë kanë thënë për rtv21.tv se format më të shpeshta të sëmundjeve malinje në Kosovë janë kanceri i gjirit te femrat dhe kanceri i mushkërive te meshkujt.
Kanceri i gjirit është një sëmundje komplekse, me shumë faktorë kontribuues. Disa nga këta faktorë, përfshirë moshën, historinë familjare, gjenetikën dhe gjininë, nuk janë nën kontrollin e një personi. Por dietologia Ajshe Ibrahimi ka thënë për rtv21.tv se një dietë e shëndetshme mund të ndihmojnë në parandalimin e zhvillimit ose përparimit të kancerit të gjirit.
“Një larmi frutash dhe perimesh, përfshirë sallatën, ushqime që janë të pasura me fibra, të tilla si drithërat, fasulet dhe bishtajoret pastaj qumështi dhe produkte qumështi me pak yndyrë, produkte me bazë soje, ushqime të pasura me vitaminë D dhe vitamina të tjera në ushqime, veçanërisht erëza, me veti anti-inflamatore, ushqime kryesisht me bazë bimore, që përmbajnë antioksidantë”, ka thënë Ibrahimi.
Modelet dietike që u japin përparësi këtyre ushqimeve, sipas saj, përfshijnë një dietë të pasur me zarzavate të gatuara, bishtajore dhe patate të ëmbla, një dietë mesdhetare, e cila thekson frutat dhe perimet e freskëta dhe vajrat e shëndetshëm dhe çdo dietë e matur që përmban shumë fruta, perime, drithëra integrale dhe peshk.
Së bashku me përfitimet e tyre të tjera, pemët dhe perimet janë të pasura me flavonoide dhe karotenoide, të cilat duket se kanë përfitime të ndryshme mjekësore. Një studim i 91 mijë e 779 grave zbuloi se ndjekja e një diete që përmban kryesisht bimë mund të ulë rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit me 15%, ka treguar Ibrahimi.
“Disa studime tjera gjithashtu kanë sugjeruar që ushqimet e mëposhtme mund të ndihmojnë në parandalimin e kancerit të gjirit: perime të errëta, jeshile, me gjethe, të tilla si lakër jeshile dhe brokoli, fruta e sidomos manaferrat dhe pjeshkat, fasulet, mish pule, mish peshku, vezë dhe pak mishin e kuq ne sasi te vogël. Studiuesit kanë treguar se beta karoteni, i cili ndodh natyrshëm në perime të tilla si karota, ule rrezikun për kanceri të gjirit. Në baze të të dhënave Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara (USDA) rekomandon konsumimin e pesë deri në nëntë porcione me fruta dhe perime të freskëta në ditë”, ka theksuar dietologia.
Fibrat dietike dhe antioksidantët mund të ndihmojnë në mbrojtjen kundër sëmundjes. Estrogjeni i tepërt, sipas Ibrahimit, mund të jetë një faktor në zhvillimin dhe përhapjen e disa llojeve të kancerit të gjirit.
“Disa trajtime synojnë të mbajnë estrogjenin nga bashkëveprimi me qelizat e kancerit të gjirit. Ngrënia e një diete me shumë fibra mund të mbështesë këtë proces dhe të përshpejtojë eliminimin e estrogjenit. Fibrat mbështesin sistemin e tretjes dhe eliminimin e rregullt të mbeturinave, përfshirë estrogjenin e tepërt. Ndihmon trupin të eliminojë toksinat dhe kufizon dëmin që ata mund të bëjnë. Mënyra se si fibra lidhet me estrogjenin në zorrë gjithashtu mund të ndihmojë në parandalimin e trupit që të thithë shumë estrogjen”, ka thënë Ibrahimi, duke shtuar se këta faktorë mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kancerit të gjirit. Frutat, perimet, drithërat, dhe bishtajoret sigurojnë fibra, por ato gjithashtu përmbajnë antioksidantë, duke përfshirë beta karoten dhe vitamina C dhe E.
Antioksidantët mund të ndihmojnë në parandalimin e shumë sëmundjeve duke zvogëluar numrin e radikaleve të lira, të cilat janë substanca të mbeturinave që trupi prodhon natyrshëm.
“Një meta-analizë e vitit 2013 zbuloi se njerëzit që hanë më shumë drithëra mund të kenë një rrezik më të ulët të kancerit të gjirit. Antioksidantët mund t’i gjeni në: brokoli, spinaq, qepet e kuqe dhe te bardha, panxhar, boronica, luleshtrydhe, kumbulla, qershi, portokall, rrush”, ka shtuar ajo.
Ushqimet me yndyrë mund të çojnë në mbipeshë dhe personat me mbipeshë duket se kanë një rrezik më të lartë të zhvillimit të kancerit, përfshirë kancerin e gjirit. Disa yndyra dietike, sipas dietologes, janë të nevojshme që trupi të funksionojë si duhet, por është e rëndësishme të konsumohet lloji i duhur.
“Yndyrat shumë të pangopura dhe mono të pangopura mund të jenë të dobishme në moderim. Ata janë të pranishëm në: vaj ulliri, avokado, fara, arra, peshq si salmoni dhe harenga, përmbajnë një yndyrë të shëndetshme poli-të pangopur të quajtur omega-3”, ka thënë ajo.
Tutje, Ibrahimi ka treguar për rtv21.tv se soja është një burim i shëndetshëm ushqimi që mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të kancerit të gjirit.
“Është një produkt me bazë bimore që është i pasur me proteina, yndyrë të shëndetshme, vitamina dhe minerale, por me pak karbohidrate, gjithashtu përmban antioksidantë të njohur si izoflavone. Soja mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e niveleve të lipoproteinës me dendësi të ulët (LDL), ose kolesterolit “të keq” dhe të ulë rrezikun e sëmundjes së zemrës. Së bashku me mbipeshën, këto gjendje janë faktorë rreziku që kontribuojnë në sindromën metabolike, e cila përfshin inflamacion. Inflamacioni mund të luajë një rol në kancerin e gjirit, megjithëse roli që ai luan mbetet i pasigurt. Soja është e pranishme në ushqime të tilla si: tofu, qumësht soje, arra soje”, ka përfunduar ajo.
Ushqimet tjera që rekomandon dietologia Ibrahimi:
Vitamina D nga ushqimet dhe ekspozimi ndaj rrezeve të diellit mund të ndihmojë në mbrojtjen nga kanceri i gjirit. Vitamina D është e pranishme në vezë, peshk dhe produkte të fortifikuara.
Çaji jeshil mund të ketë disa efekte të dobishme shëndetësore. Përmban antioksidantë dhe këto mund të ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar dhe zvogëlimin e rrezikut nga kanceri i gjirit.
Shafrani i Indisë është një erëz e verdhë që mund të ketë veti anti-inflamatore që mund të kufizojnë rritjen e qelizave të kancerit të gjirit.
Tutje, Ibrahimi ka treguar se mbajtja e një peshe të shëndetshme trupore është e dobishme për mirëqenien në përgjithësi, por është veçanërisht e rëndësishme për njerëzit që dëshirojnë të parandalojnë zhvillimin ose përsëritjen e kancerit të gjirit. Obeziteti është një faktor i njohur rreziku për sëmundjen. Po ashtu, ajo ka thënë se aktivitetet fizike gjithashtu janë shumë të rëndësishme. “Instituti Kombëtar i Kancerit raporton se gratë që ushtrojnë për 4 orë në javë ose më gjatë kanë një rrezik më të ulët të kancerit të gjirit”, ka thënë ajo.
Ndërsa ushqimet që mund të rrisin rrezikun e llojeve të ndryshme të kancerit, përfshirë kancerin e gjirit, sipas Ibrahimit përfshijnë: alkoolin, sheqerin e shtuar, yndyrat e larta, mishin e kuq, ushqimet e përpunuara, dhe duhanin.