Vajza me bashkëpunëtorë i vjedh nënës mbi 140 milionë dollarë

Një grua në Brazil u arrestua nën dyshimin se ka përdorur një person për të mashtruar nënën e saj për t’i marrë asaj vepra arti, para dhe bizhuteri në vlerë prej më shumë se 140 milionë dollarë.
Viktima thuhet se është e veja e një prej koleksionistëve më të mëdhenj të artit në Brazil, përcjell rtv21.tv
Vajza e saj akuzohet për vjedhjen e veprave artistike duke përdorur një person me probleme psikike për të pretenduar se veprat ishin të mallkuara, raporton BBC
Sipas policisë në Rio de Zhaneiro dhe raporteve të mediave lokale, mashtrimi filloi në vitin 2020 kur viktimës iu tha nga personi i dyshuar se vajza e saj ishte e sëmurë dhe u bind të paguante për trajtimin.
Në muajt në vijim, Policia thotë se vajza dhe një bashkëpunëtori i saj “filluan të merrnin veprën e artit nga shtëpia, duke pretenduar se pikturat ishin të mallkuara me diçka negative, me energji negative që duhej lutur”.
Skema vazhdoi të përfshinte disa bashkëpunëtorë, tha tutje Policia.
Vajza dhe bashkëpunëtorët dyshohet se e kanë keqtrajtuar viktimën, duke e mbajtur në shtëpi për muaj të tërë.
“Ata morën 16 piktura”, tha oficeri i Policisë, Gilberto Ribeiro për Reuters.
“Në kontrollin paraprak konstatuam se të gjitha karakteristikat e pikturave të sekuestruara janë në përputhje me pikturat autentike”, shtoi ai.
Tre pjesë nga Tarsila do Amaral, një piktor ikonik modernist brazilian, u vodhën gjithashtu, të cilat së bashku Policia i vlerësoi në 137.69 milionë dollarë.
Një nga pikturat, Sol Poente, u gjet nën shtratin e një të dyshuarit, sipas mediave lokale, ndërsa veprat e tjera thuhet se ishin shitur në galeritë e artit.
Policia thotë se shtatë persona dyshohen për përfshirje në krimin shumëvjeçar dhe përballen me akuzat për përvetësim, grabitje, zhvatje, burgosje të rreme dhe shoqërim kriminal, raportoi Reuters./21Media

Back to top button