Valbon Krasniqi ka menduar të shkruaj libër bazuar në përjetimet e tij gjatë pandemisë

Infektologu Valbon Krasniqi, që kur ka marrë drejtimin e SHSKUK-së, çdo ditë gjatë përballjes me pandeminë ka mbajtur shënime për takimet, vendimet, aktivitetet e gjëra të cilat i ka bërë.
“Pra në formën e një ditari i kam të ruajtura, tash do të shoh mbase pasi të pushoj pak mund t’i hyjë një pune të tillë. Deri tani nuk e kam bërë një gjë të tillë, nuk kam shkruajtur libra, por mbase duhet. Mendoj që jo vetëm unë po edhe kolegë të tjerë kanë bërë punë të madhe dhe mendoj se secili prej nesh duhet ta jap kontributin e tij dhe duhet të memorizohen këto kujtime e pandemia që e kemi kaluar”, tha Krasniqi në 21 Gradë të RTV21.

Gjatë kohës së pandemisë, Krasniqi tha se fatkeqësisht ka pasur pak momente të mira. Ai theksoi se mban mend pothuajse secilën ditë që nga 12 marsi 2020, kur hospitalizuan dy rastet e para me COVID-19 në Klinikën Infektive.
“Sepse më 12 mars erdhën e u hospitalizuan në Klinikën Infektive. Më kujtohet një vajzë e re 20 vjeçare italiane, e cila ishte në një mision humanitar në shtetin e Kinës dhe një burrë i moshuar nga fshati Stubëll i Komunës së Vitisë. Mandej i morën mostrat dhe më 13 mars rezultuan pozitiv. Dhe atëherë zyrtarisht filloi pandemia në Kosovë”, tha ai.
Krasniqi tha se mban mend edhe viktimën e parë të COVID-19 në Kosovë.
“Ndodhi diku 9 ditë pas regjistrimit të rasteve të para. Më 22 mars një burrë 82 vjeçar nga Komuna e Podujevës. Dhe për koicidencë tri ditë më vonë u shënua rasti i parë i shëruar nga COVID-19 zyrtarisht në Kosovë, që ishte djali i viktimës”, tha ai.
Infektologu kujtoi 21 prillin 2020, kur Kosova shënoi vdekjen e parë të një gruaje shtatzëne që ishte nga Komuna e Gjakovës./21Media

Back to top button