Vapa! Hiqni kravatat!
Vala e të nxehtit spanjoll: Kryeministri u thotë punëtorëve të mos mbajnë kravata për të kursyer energji
Pedro Sanchez shkoi pa kravatë në një konferencë shtypi në Madrid, ndërsa inkurajoi punëtorët të bënin të njëjtën gjë
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u ka bërë thirrje punonjësve të sektorit publik dhe privat që të mos mbajnë kravata si një masë për të kursyer energjinë në vapë.
Sanchez tha se qeveria e tij do të miratojë masa “urgjente” të kursimit të energjisë të hënën pasi vendet evropiane kërkojnë të bëhen më pak të varura nga gazi rus pas luftës në Ukrainë.
Të premten, temperaturat arritën në 36°C (96.8F) në Madrid dhe 39°C në Sevilje.
Në javët e fundit, Evropa ka përjetuar temperatura të larta rekord.
Në një konferencë për shtyp në Madrid, Sanchez theksoi se ai nuk mban kravatë – dhe tha se dëshiron që ministrat e tij, zyrtarët publikë dhe punonjësit e sektorit privat të bëjnë të njëjtën gjë.
“Kjo do të thotë që ne të gjithë mund të kursejmë energji,” shtoi ai.
Kryeministri tha se masa do të sigurojë që njerëzit të qëndrojnë më të freskët dhe për rrjedhojë do të ulin kostot e energjisë, pasi kondicionerët do të përdoren më rrallë.
Spanja nuk është e para që e bën këtë lëvizje. Në vitin 2011, Japonia prezantoi fushatën e saj “Super Cool Biz”, e cila inkurajoi punonjësit e zyrës të veshin rroba më të freskëta gjatë verës.
Dhe gjatë temperaturave të larta në Mbretërinë e Bashkuar kohët e fundit, politikanëve iu tha se mund të hiqnin xhaketat e tyre ndërsa ishin në Dhomën e Komunave.
Qeveria e zotit Sanchez po punon për një dekret për kursimin e energjisë, i cili pritet të miratohet të hënën.
Kjo përfshin një lëvizje për të inkurajuar bizneset që të mbajnë dyert të mbyllura aty ku është e mundur për të parandaluar ikjen e ajrit të kondicionuar. Një rregull i ngjashëm u prezantua në Francë në fillim të kësaj jave.
Masat janë pjesë e planit 210 miliardë euro të Komisionit Evropian (176 miliardë £) për të rritur energjinë e rinovueshme dhe për të reduktuar varësinë e vendeve evropiane nga gazi rus pas pushtimit të Ukrainës.
Gjermania po ndjek shembullin, me një nga qytetet e saj, Hanoverin, duke njoftuar se do të ofrojë dushe të ftohtë vetëm në pishinat publike dhe qendrat sportive.
Temperaturat jashtëzakonisht të larta të javëve të fundit kanë bërë që qeveritë në mbarë botën të rivlerësojnë përdorimin e tyre të energjisë – nga një këndvështrim mjedisor dhe i kursimit të kostos.
Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe më të gjata për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime drastike në emetimet.
Përveç rritjes së kostove të energjisë, valët e fundit të të nxehtit kanë çuar në më shumë se 500 vdekje në Spanjë gjatë dy javëve të fundit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se vala e fundit e të nxehtit në Evropë kishte çuar në “vdekje të panevojshme”,raporton BBC./21Media