Saraçini: Vajzat tona na kanë bërë krenarë me këtë sukses të jashtëzakonshëm

Kombëtarja e Kosovës në Hendboll për grupmoshat U18 ka shënuar një sukses historik. Ato kanë siguruar kualifikimin për në Kampionatin Botëror të Hendbollit që zhvillohet këtë vit në Kinë.

Kjo është hera e parë që kjo gjeneratë arrin të kualifikohet në këtë kompeticion kaq të rëndësishëm të hendbollit në botë.

I kënaqur me suksesin e vashave të Kosovës U18 u shpreh presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini.

“Jemi mbledhur për një sukses të jashtëzakonshëm të kombëtares sonë U18 dhe me krenari e themi se ky është një moment historik për sportin e Kosovës. Janë kualifikuar në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Kinë në muajin gusht dhe mund të them se vajzat tona na kanë bërë krenarë me këtë sukses të jashtëzakonshëm të arritur. Meritore për këtë sukses janë të gjitha hallkat dhe po ashtu në arenën ndërkombëtare hendbolli është duke ecur mirë, gjë që na bën krenarë të gjithëve. Ne po flasim për gjeneratën e re, e cila është një kombinim i vajzave që janë të përkushtuara për Kosovën. Vitin e kaluar ka filluar ky udhëtim pasi morën pjesë në IHF Trophy në zonën evropiane dhe tani kulmoi me triumf. Ky sukses besoj se do të jetë një motiv i madh jo vetëm për hendbollin por edhe për sportet tjera, që të jenë konkurrues për të arritur suksese. Ne mendojmë dhe synojmë që në të ardhmen të jemi shumë më lartë”, theksoi Saraçini.

Një sukses i tillë a ka bërë shumë të lumtur edhe trajnerin e kësaj kombëtareje, Mitat Ferati i cili në konferencë për media ka thënë se pas kualifikimit, ata synojnë paraqitje sa më dinjitoze në këtë kampionat.

“Siç e ceki edhe presidenti, ne jemi krenarë me këtë moment historik, i cili erdhi falë angazhimit të gjithëve. Kemi një ekip me lojtare nga Zvicra, Gjermania dhe Kosova, ndërsa vajzat ishin fantastike. E kemi pasur një fazë të vështirë me kundërshtarë të fortë dhe nuk ishte aspak lehtë. Mirëpo, angazhimi i vashave në secilën ndeshje ka bërë që të arrijmë këtë sukses të madh, kualifikimin në Botërorin U18. Çelësi i këtij suksesi është talenti që e posedojnë këto vasha pasi kanë dhënë më të mirën nga vetja. Deri tash kemi bërë paraqitje të mira dhe e kemi dëshmuar këtë, por ende nuk kemi hasur në ekipe që na presin në Kinë, ku do të mbahet Botërori. Krahas punës edhe disiplina e ka sjellë këtë sukses”, tha Ferati.

Për kapitenen e skuadrës, Sara Gjergjaj, puna e vështirë fillon tani. Ajo ka thënë se duhet nisur punën menjëherë në mënyrë që në Botërorin e Kinës, Kosova ta paraqitet sa në fuqishme përballë kundërshtarëve.

“Ne vetëm po duam të japim sa më shumë që të mundemi. E dimë vet se jemi pak se hendbolli që është në Kinë është më i fortë se sa që e kishim në këtë turne, është hendbolli i Evropës, hendbolli më i miri, por prapë se prapë do të ushtrojmë sa më shumë sepse do të jemi në Kinë dhe të japim sa më shumë që mundemi dhe ta luajmë lojën sikur dimë”, nënvizoi Gjergjaj.

Kampionati Botëror i Hendbollit do të mbahet në Sugju të Republikës Popullore të Kinës nga 14 deri më 25 gusht të vitit 2024.

Back to top button