Vasili: Shqipëria fitoi opozitën që nuk e kishte

Ai tha se shqiptarët e donin një opozitë të vërtetë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi të martën gjatë një konference për shtyp, se “230 mijë votat që mori LSI në këto zgjedhje, janë mesazhe që të vazhdojmë punën, që vendi të ketë një opozitë të vërtetë, jo të kapur e të blerë, por që ka vetëm një mision, të jetë zëri i qytetarëve”.

Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve, Vasili tha se “Shqipëria fitoi opozitën që nuk e kishte”. “Këto ishin zgjedhjet më të shëmtuara, por ne nuk do të lodhemi t’ia dokumentojmë këtë nga afër çdo shqiptari. 230 mijë votat ishin goditja më e rëndë që mund t’i jepej kësaj strategjie kriminale. Deri tani vendi nuk ka pasur opozitë dhe strategjia kriminale e implementuar në zgjedhjet e 25 qershorit ka ndodhur për shkak të këtij fakti, në dëm të LSI-së dhe vendit, duke i hapur rrugë krimit”, tha Vasili.

Tani, sipas tij, shqiptarët do të kenë më së fundi zërin e tyre në parlamentin e Shqipërisë, që do të denoncojë qartë jo vetëm strategjinë e terrorit të këtyre zgjedhjeve, por do të jetë një barrierë e pakapërcyeshme në Kuvend ndaj strategjisë së drogës, krimit dhe parave të pista.

230 mijë vota, tha Vasili, janë mesazhe për një mision të madh që i ngarkohet LSI-së, që Shqipëria të hyjë në hullinë normale të çlirimit nga bandat dhe nga të gjithë mbështetësit e tyre në opozitën fiktive.

“Shqiptarët donin një opozitë të vërtetë dhe do të kenë një opozitë të vërtetë”, u shpreh Vasili, duke theksuar se LSI do të bëjë një opozitë të egër dhe ballore dhe shqiptarët më së fundi do të kenë zërin e tyre në parlament.

“LSI ka pasur rezultate shumë pozitive, por pavarësisht rritjes së jashtëzakonshme të LSI-së, kryesorja është se vendi fitoi opozitën që nuk e kishte”, tha ai.

Back to top button