Vazhdon aksioni i inspektorëve nëpër markete

Target i inspektimeve janë bërë qendrat tregtare në disa komuna të Kosovës. Në komunën e Rahovecit sot janë sekuestruar 4 mijë e 676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës. Ndërsa, inspektorët në Malishevë kontrolluan çmimet e artikujve të vajit, miellit, sheqerit dhe kripës.
Inspektorët në Malishevë sipas një njoftimi për media, kërkonin faturat e furnizimit me këta artikuj dhe nga afër panë se në disa qendra tregtare, markete, vaji nga disa lloje nuk ndryshonte në çmimore, por ishte i ndryshëm në sasi, ashtu edhe produktet tjera, kurse çmimet krahasuar me një ditë më parë tashmë kishin shënuar rënie.
“Sipas asaj që u pa në depot e këtyre qendrave tregtare, janë të furnizuar mirë dhe pritet të furnizohen edhe ditëve në vijim, prandaj nuk ka vend për panik, njëherit u kërkua nga përgjegjësit e marketeve që rigorizisht të mos manipulojnë me situatën e paqëndrueshme, në të kundërtën mund të pasoj ndjekja ligjore. Inspektorati i Komunës së Malishevës, kërkon nga qytetarët që për çdogjë të parregullt që vërejnë gjatë blerjes së artikujve, kur hasin në parregullësi të lajmërojnë institucionin përgjegjës, inspektorët”, thuhet në njoftim.
Pas ngritjes së çmimeve kohëve të fundit, Dogana e Kosovës ka analizuar sektorin e importit të vajrave ushqimore.
“Në vitin 2022 (periudha janar – shkurt dhe një pjesë e marsit) në Kosovë janë importuar 3.3 milionë litra vaj luledielli i përpunuar dhe 1.4 milion litra vaj luledielli i papërpunuar”, thuhet në njoftimin e Doganës./21Media

Back to top button