Vdekja e 18 vjeçares në Ferizaj, kryeprokurori: Jemi në kërkim të personit të dytë të dyshuar

Prokuroria është duke punuar intensivisht për të zbardhur rrethanat në të cilat dje një vajzë 18 vjeçare ishte dërguar pa shenja jete nga dy persona të dyshuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Kryeprokurori Shukri Jashari ka thënë për kallxo.com se tashme njëri i dyshuar është arrestuar, derisa ka shtuar se janë duke punuar me Policinë për kapjen e personit tjetër të dyshuar i cili ndodhet në arrati.
Jashari nuk ka dhënë detaje nëse i dyshuari i dytë, i cili ndodhet në arrati gjendet brenda territorit të Kosovës.
Kryeprokurori Jashari ka deklaruar se janë duke përgatitur edhe kërkesën për caktimin e paraburgimit të të dyshuarit të arrestuar me inicialet A. S. i moshës 32 , i cili pasi është intervistuar nga policia, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i njëjti është ndaluar për 48 orë, ndërsa në kërkim policor është i dyshuari tjetër me inicialet D. K. (M/K) i moshës 29 vjeçar.
“Po mundem me ju konfirmu se janë identifikuar dy të dyshuarit, kurse njëri nga ta akoma nuk është arrestuar. Në momentin që të arrestohet edhe i dyshuari tjetër ne do të kërkojmë caktimin e paraburgimit”, ka thënë Jashari.
Një 18 vjeçare pa shenja jete është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dje, personat që e kanë sjellë viktimën janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokurori ka konfirmuar se të dyshuarit kanë vozitur veturë të tipit ‘Audi’ me targa nga Zvicra./kallxo

Back to top button