Vdes në QKUK gruaja që u plagos mbrëmë me armë zjarri në Prishtinë

Ka vdekur në QKUK gruaja e cila u plagos mbrëmë me armë zjarri në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë, ku një person mbeti i vdekur.

Lajmin e ka konfirmuar shefi i intensivës në QKUK, Shaqir Uka.

“Fatkeqisht nuk ka arritur t’i përballojë plagët që ka marrë nga lëndimi dhe ka ndërruar jetë sot në ora 10:45. E plagosura ka marrë lëndime nga arma e zjarrit në regjionin e koplikut, në pjesën e sipërme të ekstremiteteve të poshtme, me dëmtime shumë të rënda të enëve të mëdha të gjakut dhe dëmtim i këmbës së majtë”, tha Uka.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla tha se fillimisht mbrëmë e plagosura u pranua në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

“Ajo është nënshtruar trajtimeve emergjente, operciononit dhe tani është duke u trajnuar në Klinikën Intenzive”.

Ndryshe, mbrëmë një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur në Prishtinë.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, i cili tha se ka ndodhur në rrugën “Jeronim De Rada” në kryeqytet.

Ai ka shtuar se ende nuk janë identifikuar të dyshuarit e përfshirë në këtë rast.

“Rreth orës 21:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ‘Jeronim De Rada’ në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit ku fatkeqësisht njëri nga ta ka ndërruar jetë. Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes, si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka thënë Borovci./BetimipërDrejtësi

Back to top button