Vdiq aktori shkodran i teatrit “Migjeni”, Enver Hyseni
Është ndarë nga jeta aktori i teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Enver Hyseni. Lajmin e ka dhënë faqja e teatrit.
“Me idhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur të teatrit “Migjeni”, Enver Hyseni!Ngushëllimet tona të sinqerta shkojnë për familjen dhe komunitetin e artistëve!U prehsh në paqe Enver Hyseni!”
Homazhet do të mbahen nesër me datë 30 tetor nga ora 10-12, në hollin e teatrit “ Migjeni”.
Enver Hyseni është lindur në Shkodër më 1 Gusht 1951. Ai ka studiuar në Institutin e Lartë të Arteve për një periudhë të shkurtë (1973-1974) duke i ndërprerë ato për arsye ekonomike. Më 1975 ka nisur punën në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, derisa ka dalur në pension në vitin 2016.
Në këtë periudhë dyzetvjeçare ai ka luajtur më se gjashtëdhjetë role në teatër e katër në filma. Ai ka punuar me regjisorë si Serafin Fanko.
Zëri tipik dhe plastika e brendshme e ka bërë një aktor krejtësisht të veçantë dhe interesant. Profili i tij artistik ka qenë zakonisht i formuar për të luajtur role pozitive të karakterit fshtar-malësor. Kanë qenë ato rolet që ai ishte shprehur më shumë emocione.
Enver Hyseni kujtohet në të kaluarën në dramat “Baca e Gjetjave”, “Çështja e Blertës”, apo edhe te filmi televiziv “Flaka e maleve” .
Ai është aktivizuar edhe në disa filma artistikë para viteve ‘90 dhe pas ndryshimit të sistemit dhe me role të tjera po në filma, teatër e komedi të ndryshme.
Mjafton të përmenden disa prej tyre : “Ylli i mëngjesit” ; “Një histori humbësish ose Mos pështyni pertoke”, “Rëndësia për të qenë Ernesto” “Kandili i argjendtë” ; “Shën Gjon kryepremi”; “Migjeni ky uragan” (dokumentar); “Gjaku që fal gjakun” (film i metrazhit të shkurtër); “Klithma në dëborë” dhe në vitin 2019, aktori shkodran është ngjitur në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me monodramën e shkruar nga S. Capaliku “Dome”./Oranews