Vdiq futbollisti Arben Dubova

Futbollisti kosovar, Arben Dubova vdiq dje, pas një sëmundjeje të rëndë. Lajmi u bë i ditur nga komuna e Ferizajt.

“Me dhembje morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të sportistit ferizajas, Arben Dubova. Me këtë rast, përmes telegramit, Kryetari i Komunës, Agim Aliu i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e të njohurve të të ndjerit.”, u bë e ditur në njoftimin e komunës.

Ndërsa, Federata e Futbollit të Kosovës sot ngushëlloi familjen Dubova, me rastin e vdekjes së futbollistit ferizajas.
FFK theksoi se Dubova ishte në mesin e atyre që dha kontribut të madh për futbollin ferizajas dhe në përgjithësi atë kosovar.
“Ai asnjëherë nuk iu nda futbollit, derisa gjatë karrierës së tij u shqua si lojtar i spikatur dhe vetëmohues në fushën e gjelbër. Arbeni ishte aktiv edhe në ekipin e veteranëve të Ferizajt, teksa vlerat e lojës më të popullarizuar tek ne i transmetoi edhe tek brezat e rinj. Arbeni ishte një i pasionuar pas futbollit, derisa njihej për virtyte të larta njerëzore e sportive dhe ndër punëtorët më të dalluar sportivë në rajonin e Ferizajt.”, u bë e ditur në telegramin e ngushëlllimit të FFK-së.
Ikja e e hershme e Dubovës, siç potencoi FFK, është humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për sportin kosovar, andaj familja e madhe e futbollit gjithmonë do ta kujtojë kontributin e tij./21Media

Back to top button