Vdiq gazetari Naim Haxhosaj
Haxhosaj ka vdekur mbrëmë
Gazetari i mirënjohur, Naim Haxhosaj, ka vdekur mbrëmë pas një sulmi në zemër.Lajmi për vdekjen e Haxhosajt është kumtuar nga miqtë e tij në rrjetin social “Facebook”.
Shoku i tij dhe njëherësh gazetari i njohur, Uran Krasniqi, ka shprehur dhimbje për vdekjen e gazetarit. Krasniqi e ka vlerësuar lartë figurën e tij.
“Kur vdiq nipi im Agroni para një viti, të cilin e njihte sepse kishin punuar bashkë, më shkroi e më tha: “Ishte i ri dhe na trishtove me këtë lajm”. Vetëm një vit më pas paska vdekur vetë. Edhe më i ri. Një djalë shumë i mirë e i sinqertë. Një gazetar i përkushtuar. Lajm trishtues! Lamtumirë Naim Haxhosaj!”, ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i ka shprehur ngushëllime familjes së gazetarit të ndjerë.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e papritur të mikut tonë, gazetarit Naim Haxhosaj! Mbledhje komemorative do të mbahet në ora 14:00 në sallën e Kuvendit Komunal, ndërsa varrimi do të bëhet në ora 16:00 në varrezat e fshatit Prilep! Ngushëllime familjes Haxhosaj dhe gjithë qytetarëve të Komunës së Deçanit! I përjetshëm qoftë kujtimi për ty!”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.
Varrimi i të ndjerit bëhet në ora 16:00, në varrezat e fshatit Prilep të Deçanit./21Media