Është ndarë nga jeta si pasojë e një ataku kardiak ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Sabit Brokaj.

Brokaj vdiq në moshën 78 vjeçare, shkruan rtv21.tv.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka cilësuar si një personalitet të veçantë të skenës politike shqiptare.

“Më pikëlloi vdekja e ish-ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Sabit Brokajt, një personalitet i veçantë i skenës politike shqiptare. Si profesionist i klasit të parë, doktor ushtarak, Brokaj u shqua në të gjitha përgjegjësitë shtetërore, parlamentare dhe edukative, si pedagog”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

I pari i Kosovës u shpreh se Brokaj në periudhën e luftës në Kosovë, si ministër tregoi vlera të larta patriotike.

“Për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës, Sabit Brokajn e kam dekoruar me Urdhrin e Pavarësisë”, ka shkruar tutje Thaçi.

Institucioneve të shtetit shqiptar, familjes, miqve dhe kolegëve të ministrit Brokaj, Thaçi në emër të tij, dhe të qytetarëve të Kosovës u shprehu ngushëllime.

Sabit Brokaj ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë që nga viti 1991 dhe ka qenë një nga themeluesit e Partisë Socialiste. Më pas ai ka mbajtur postin e Ministrit të Shëndetësisë në vitin 1991 , ndërsa në vitet më kritike 1997-1999 ai ka mbajtur postin e Ministrit të Mbrojtjes./21Media