Vdiq në moshën 48-vjeçare këngëtarja e njohur

Këngëtarja Coco Lee, e cila njëherësh u veçua edhe si tekstshkruese, e cila zhvilloi karrierë të suksesshme në Azi dhe më pas në botë, ka vdekur në moshën 48 vjeçare. Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të ditur familja e saj përmes një deklarate në mediet sociale.

Shkak i vdekjes së Lee është vetëvrasja.

Coco kishte kohë që vuante nga depresioni, gjë që edhe e çoi në vetëvrasje.

Motrat e Lee, Carol e Nensi në deklaratë kanë thënë se gjendja e saj u keqësua disa muaj të fundit.

Coco Lee pas tentimit për vetëvrasje u dërgua në spital, dhe ishte në komë. Ajo fatkeqësisht vdiq atje, shkruan po ashtu në deklaratë.

“Edhe pse CoCo kërkoi ndihmën e profesionistëve dhe u mundua të luftonte depresionin, demoni brenda saj ia doli të bënte të vetën”, shkruan në deklaratë.

Coco Lee u lind në Hong Kong por ajo më vonë u shpërngul në SHBA, ku edhe mbaroi shkollimin.

Ajo zhvilloi karrierë të suksesshme në Azi në vitet e 90-ta dhe 2000, ku edhe u veçua për zërin e saj.

Coco zhvilloi karrierë 30 vjeçare në fushën e muzikës. Ajo lansoi këngë në gjuhën kantoneze dhe angleze.

Ajo huazoi zërin për personazhin Fa Mulan në versionin Mandarin të Disney, e po ashtu realizoi kolonën zanore për këtë film.

Në vitin 2011, Coco Lee u martua me biznesmenin kanadez Bruce Rockowitz. Lee nuk kishte fëmijë të saj.

Motrat e Lee në deklaratën e tyre në lidhje me vdekjen e saj shkruan se Lee është angazhuar në hapjen e rrugës së këngëtarëve kinez në botë, në skenën ndërkombëtare, dhe se krenohen shumë me të./21Media

Back to top button