Vdiq piktori shqiptar Omer Kaleshi

Omer Kaleshi ka vdekur sot në moshën 90 vjeçare.
Kaleshi u lind në vitin 1932 në fshatin Kastriot të Kërçovës. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, ndërsa në vitin 1956 migroi në Turqi me gjithë familjen. Në vitin 1959 ai regjistroi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll, në degën e pikturës, njofton ”INA”.
Ekspozitën personale në galerinë “Robert College” në Stamboll, Kaleshi e kishte hapur në vitin 1963, ndërsa në vitin 1965 përfundoi studimet dhe njëkohësisht hapi disa ekspozita në Ankara, Beograd, Shkup. Po atë vit Kaleshi u vendos në Paris të Francës.

Në vitet 1966-1967 ekspozoi punimet e tij, ndër tjera edhe në: Hagë – “Salloni i piktorëve të pavarur”, “Salloni internacional i pikturës”, në Paris – “Salloni i realiteteve të reja”, “Qendra kulturore 17”, në Lecce të Italisë – “Salloni i majit”.,
Kryeministri, Albin Kurti e ka kujtuar Kaleshin duke thënë se një kokë piktoreske e bardhë, me flokë dhe mustaqe të thinjura, do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave, piktorit të madh shqiptar.
”Koka dervishësh, koka çobanësh, koka me plisa, koka me shamie, koka nga Anadolli dhe koka nga Ballkani, të gjitha të pikturuara pa model. Shumë koka, koka pa trup, vetëm koka, por edhe pse pa trup, kokat e Kaleshit nuk kanë gjak meqë ato nuk janë koka të prera, sepse janë koka të gjalla, siç shpjegonte vetë ai”, ka shkruar Kurti./21Media
Back to top button