Kurti thotë se Kaleshi mbetet piktor unik

Ka vdekur sot në moshën 90 vjeçare, piktori Omer Kaleshi.
Me këtë rast kryeministri, Albin Kurti e ka kujtuar piktorin si një kokë piktoreske e bardhë, me flokë dhe mustaqe të thinjura e që sipas tij do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave, piktorit të madh shqiptar.
”Një ekspozitë në Hamamin e Daut Pashës në Shkup, ku ai pa disa gravura të artistit anglez Henry Moore, me njerëz të strehuar në metro nga bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore, e shtyen Omerin e ri të hiqte dorë nga profesioni i elektricistit për tu bërë piktor. “Rrënjët e artit tim u zunë në Shkup, trungu iu rrit në Stamboll, kurse frutet e tij u poqën në Paris” – thoshte shkurt Omer Kaleshi, kur përshkruante rrugëtimin e tij jetësor prej artisti. Ai nisi duke kopjuar një vepër të Paul Cezanit, për të krijuar gjithë veprën e tij artistike atje ku pikturoi edhe vetë Cezani, në Paris”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka shpjeguar se Kaleshi pikturonte i vetëm në atele, pa u parë nga askush, ngase duke qenë i vetëm ai besonte se ishte i plotë. Prandaj sipas tij në historinë e artit, piktori i kokave Omer Kaleshi, do të regjistrohet edhe si piktori unik që hapësirat e bardha brenda pikturave të tij, i linte në vetë të bardhën e pëlhurës.
”Koka dervishësh, koka çobanësh, koka me plisa, koka me shamie, koka nga Anadolli dhe koka nga Ballkani, të gjitha të pikturuara pa model. Shumë koka, koka pa trup, vetëm koka, por edhe pse pa trup, kokat e Kaleshit nuk kanë gjak meqë ato nuk janë koka të prera, sepse janë koka të gjalla, siç shpjegonte vetë ai. Koka me sy, por koka shpesh pa vesh, koka të mbështjellura, të dala nga imagjinata e kokës së Kaleshit dhe të pikturuara mjeshtërisht prej tij”, ka shkruar tutje Kurti./21Media

Back to top button