Vdiq veprimtari politik dhe ish-deputeti i legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovës, Hasan Meta

Sot në moshën 77-vjeçare ka ndërruar jetë ish-deputeti i legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovës dhe veprimtari politik Hasan Meta.
Meta ishte veteran i luftës së UÇK-së, ndërsa së fundi ishte nderuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Pejës.
Jeta e Metës ishte e mbushur me përpjekje për liri dhe të drejta kombëtare e shoqërore. Ai u lind më 16. 10.1945 në Katundin e Ri të Pejës. Ndonëse në kushte të vështira, Hasan Meta u arsimua në Kosovë dhe Kroaci ku u specializua në degën e biokimisë së mjekësisë. Si profesionist ai punoi 33 vjet.
Meta u përfshi në lëvizjen atdhetare për çlirimin e vendit i bindur fitoren përfundimtare. Në vitin 1998 iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit.
Me aprovimin e komandantit të Zonës, Ramush Haradinaj, së bashku me Hetem Çekun ai punoi në fuqizimin e UÇK-së, në furnizimin e saj me armë e municione e pajisje ushtarake si dhe grumbullimin e mjeteve financiare për nevojat e luftës.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2000 Hasan Meta zgjidhet asamblist në Asamblenë Komunale të Pejës, ndërsa në legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës (2001/2004) Meta ka qenë deputet nga radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Meta do të varroset nesër në ora 16:00, në varrezat e qytetit në Pejë.

Back to top button