Vëllai i Donjeta Pajazitajt për RTV21: E kemi brengë ta dimë arsyen e vrasjes
Naser Pajazitaj, i akuzuar se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, është dënuar sot me burgim të përjetshëm nga Gjykata në Ferizaj.
Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjetës, që është vrarë nga kushëriri i saj në vitin 2015, është deklaruar për rtv21.tv pak minuta pas vendimit të Gjykatës.
Për rtv21.tv Shkëlqimi ka thënë se ky vendim ishte i pritur qe sa kohë nga familja e tij.
Tutje, ai ka thënë se kanë brengë të dinë arsyen e vrasjes.
“Ka qenë shumë vendim i pritur nga ana jonë si familje e Donjetës, e kemi pritur qe sa kohë edhe pse kemi pas dëshirë me u zbulua diçka ndonjë arsye, me e ditë çka e shtyni ata me bë këtë vepër, kur kemi pas shumë marrëdhënie të mira me të si familje. Donjeta ka qenë si në shkollë fillore, si të mesme shoqe të ngushta me vajzën e tij. Me e dit pse e boni”, ka thënë Shkëlqimi.
Sipas tij, i dënuari Naser Pajazitaj ka pasur edhe ndonjë bashkëpunëtor, pasi siç u shpreh “ai në atë gjendje nuk ka pasur mundësi me qenë vet”.
Sipas Prokurorisë përderisa Donjeta ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar tek vendi ‘Kroi i Lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta./21Media