Vendet e BE-së nisin vaksinimin e adoleshentëve

 

Rumania dhe Italia nisin sot vaksinimin e adoleshentëve kundër koronavirusit, duke u bërë vendet e para të Bashkimit Evropian që bëjnë një gjë të tillë.

Komisioni Evropian miratoi të hënën përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech te fëmijët 12 vjeç e lart.

Drita jeshile u dha një javë më herët nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). Tani, secili nga 27 vendet anëtare të BE-së mund të vendosë nëse do ta zgjerojë ose jo fushatën e vaksinimit me përfshirjen e adoleshentëve.

Duke mos humbur shumë kohë, kryeministri rumun, Florin Citu, tha se fëmijët 12 vjeç e lart mund të fillojnë vaksinimin nga 1 qershori. Ngjashëm tha edhe Qeveria e Italisë.

Vendet e tjera në Evropë pritet të ndjekin shembullin, megjithëse disa mund të vazhdojnë t’u japin përparësi në vaksinim të rriturve dhe fëmijëve me probleme shëndetësore, të cilat i bëjnë ata më të cenueshëm nga koronavirusi.

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja e kanë miratuar më herët përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech te fëmijët 12 vjeç e lart.

Edhe SHBA-ja, edhe Evropa janë të etura për të përshpejtuar tutje vaksinimin, i cili tashmë ka zvogëluar normat e infeksionit dhe ka çuar në rihapjen e ekonomive.

Gjysma e të rriturve amerikanë janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.

Franca hapi të hënën vaksinimin për këdo që është 18 vjeç e lart. Ky vendim u mor më herët seç ishte planifikuar fillimisht, pasi gati gjysma e popullsisë së rritur franceze ka marrë së paku një dozë të vaksinës dhe më shumë se 20 për qind janë vaksinuar plotësisht.

Nga 7 qershori, edhe Gjermania pritet të hapë vaksinimin për të gjithë të rriturit.

Back to top button