Rrjeti i Shitësve me Pakicë e konsideron të papërballueshëm nga aspekti ekonomik dhe të paefektshëm nga ai shëndetësor vendimin për mbylljen e tërësishme të vendit nga dita e sotme deri të hënën.

“Një vendim i tillë pa u konsultuar me komunitetin e biznesit përvec që është i papritur, shkakton humbje kolosale te bizneset duke përkeqësuar edhe më tutje gjendjen ekonomike, e sidomos i marrë në baza ad-hoc gjeneron humbje të mëdha nga hudhjet sidomos te industria e ushqimit. Në anën tjetër lejimi i ushtrimit të veprimtarisë për vetëm disa subjekte ekonomike sic është paraparë me vendim minon përpjekjet për mbrojtjen e shëndetit publik, pasi që të njejtat kthehen në vatra të rrezikshme të infeksionit për shkak të qarkullimit të detyrueshëm vetëm në ato pika”, thuhet në reagimin e këtij rrjeti.

Tutje  Rrjeti i Shitësve me Pakicë e vlerëson këtë vendim si një goditje të fuqishme ndaj komunitetit të biznesit dhe ekonomisë së vendit e cila sipas tyre krijon precedent për mbylljen e aktiviteteve ekonomike edhe fundjavat e ardhshme “e që definitivisht do të rezultonte në falimentimin e shumë subjekteve ekonomike. Ne ju bëjmë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së COVID 19 dhe jemi të gatshëm të ofrojmë kapacitetet tona Qeverisë së Kosovës për garantimin e zbatimit të tyre, gjërsa konsiderojmë se mbyllja e tërësishme do të ketë efekte të pariparueshme dhe do rezultojë vdekjeprurëse për bizneset individuale dhe ekonominë vendore në tërësi”, përfundon reagimi.

Qeveria e Kosovës mori venditm që të ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme)  në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00,

Po ashtu është vendosur që të futen në karantinë shtatë komuna përfshirë Prishtinën, Fushë-Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen./21Media