Vendimi për vizat së shpejti; hyrja në fuqi në nëntor 2023
Vendimi për vizat së shpejti; hyrja në fuqi në nëntor 2023
Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).
Siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.
Grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar sot, për herë të dytë, për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.
Franca, megjithatë, ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.
Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023
Shtetet që e kanë kundërshtuar lidhjen me ETIAS, e kanë argumentuar këtë me faktin se ai sistem mund të mos jetë gati as më 1 nëntorë të vitit 2023, dhe kjo do ta shtynte përsëri hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën. Prandaj, sipas interpretimit të disa diplomatëve, formulimi i ri do të lërë hapësirë që liberalizimi të hyjë në fuqi edhe në rast se do të shtyhet përsëri zbatimi i sistemit ETIAS.
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian tash duhet të përgatisë një draft të ri të propozimit, i cili do të futet në procedurën e heshtur në Këshill në nivelin e grupit punues. Nëse asnjë shtet nuk e kundërshton tekstin e ri deri në një afat të caktuar, me gjasë deri në mesin e javës që vjen, atëherë kjo dosje do të bartet për vendim tek ambasadorët e vendeve anëtare në Këshill, trupin e njohur si Coreper.
Pastaj do të niste edhe trialogu formal me Parlamentin Evropian dhe Komisionin, në mënyrë që të finalizohej i tërë vendimi.
Diplomatët në BE thonë se “synimi është që deri me datën 6 dhjetor, kur në Tiranë zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor, të ketë vendim për këtë çështje në mënyrë që kjo të përmendet si një prej rezultateve të BE-së në raportet me vendet e rajonit”.
Diskutimi i së enjtes në grupin punues ishte i dyti me radhë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Diskutimi i parë ishte zhvilluar më 13 tetor dhe atëherë shumica e madhe e vendeve e kishin mbështetur liberalizimin e vizave, asnjë nuk ishte shprehur kundër, por Franca kishte kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.
Këto burime besojnë se kompromisi për të cilin kanë rënë dakord në takimin e së enjtes, do të mundësojë që vendimi të miratohet sa më shpejt, megjithëse hyrja e tij në fuqi do të caktohej për datën 1 nëntor të vitit 2023.
Kjo do të thotë se qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtonin në vendet e BE-ë dhe vendet tjera të zonës Schengen nga nëntori i vitit që vjen.
Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë, por disa udhëheqës individualë të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.
Më 12 tetor, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.
Nga Republika Çeke, e cila mban Presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre./rel