Veriu përplasë pushtetin me opozitën

Kryeministri Albin Kurti, është përplasur ashpër me deputetë e opozitës në kuvend  për zhvillimet e fundit në veri. Ai tha se nuk mund të veprojë ndryshe, derisa Serbia nuk tërheq strukturat kriminale nga komunat veriore. Ai theksoi se protestat atje nuk pasqyrojnë vullnetin e popullit serb në Kosovë.

“Nuk është kjo protestë as në Zveçan, as në Leposaviq e Zubin Potok për zgjedhje të reja komunale, këto janë protesta me kryqin me katër C, me shkronjën ruse Z, këto janë protesta të njerëzve që adhurojnë Millosheviqin dhe Putinin. Dhe punojnë të paguar nga Beogradi dhe me direktiva të Beogradit. Pra, nuk është thjesht vetëm çështja e komunës aty. A ndërtesat e komunës janë të Republikës. Nëse nuk janë për kryetar të komunave për kë janë aty, nëse kryetarët e komunave nuk shkojnë aty ku duhet të jenë ata. Që nga viti 1999 ka struktura paralele ilegale atje, nuk mund të krijojmë struktura paralele strukturave paralele, nuk ka kuptim të krijojmë zyra paralele atje”, theksoi ai.

Kreu i partisë më të madhe opozitare, Memli Krasniqi, e ftoi kryeministrit Kurti  që të shkojnë bashkë në veri, e jo të sfidojë kryetarët e zgjedhur.

“Nëse mendon që këta duhet me shku pse s’po shkon ti. Hajde po shkojmë unë e ti bashkë a guxon? Lehtë e ke prej Prishtinës hajde shkojmë bashkë në veri hijmë na në zyre rrijmë bashkë me të…““Për dy komuna s’guxon, për Zveçan për Zubin Potok ty s’ti vetë letrat kurrkush” “Qu shkojmë në veri, t’i rreziko i pari ne pas teje. Hajde shkojmë Në Leposaviq, shkojmë i marrim kryetarët e i dërgojmë në objektet komunale. Mirëpo po i marrim Erdenin që është në Lagje të Boshnjakëve e dërgojmë në Komunë të Mitrovicës së veriut

“Çlironi ata dy kryetarë, kur të ec rroga duhet me punua”

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi ashpër Kurtin se me vendimet e tij po dëmton rënd raportet me aleatët. Ai pyeti nëse ka guxim ti arrestojë kriminelët në veri, të cilët siç tha ai, i din me emra se kush janë dhe ku gjinden.

“Ti i din me emër e mbiemër  kriminelet, ku ndodhen dhe çfarë arsenali kanë….

“Arrestimin a me bë me koordinim apo pa koordinim… “

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj,  kërkoi mocion për shkarkimin e kryeministrit Kurti.

“Është detyra jonë e njerëzve të Kosovës që të reflektojmë çka po na ndodhë a duhet të lejojmë që të vazhdojë mosbesimi deri në pabesi ndaj aleatëve. Kush përfiton nga kjo pos Putini, armiqtë tanë, Serbia. Për këtë arsye ju propozoj deputetë të respektuar të shkojmë me mocion dhe ta shkarkojmë qeverinë Kurti ta ndërpremë mosbesimi deri në pabesi e mashtrimin deri në tradhti”.

Kritikave të opozitës iu kundërpërgjigj edhe ministrja e jashtme Donika Gërvalla.

“Kam qenë pjesë e zhvillimeve më të rëndësishme në vitet e 90-ta në krah të presidentit Rugova e kam mësuar gjatë takimeve të tij me plot partnerë të rëndësishëm se miqtë, aleatët dhe partnerët tonë nuk duhet gënjyer…Partnerët nuk presin dhe as nuk kërkojnë as nënshtrim as servilitet”.”

Debati për veriun në kuvend ka vazhduar deri në orët e mbrëmjes./21Media

Back to top button