Veseli-Haradinaj: Jemi bërë bashkë për atdheun

Kadri Veseli e Ramush Haradinaj janë bërë bashkë përsëri si në kohën e luftës me ish bashkëluftëtarët e tyre!

Lideri i PDK-së, takimin me veteranët e UÇK-së, e quajti me të veçantin për të, për faktin se sot në rrethanat e lirisë bashkohen përsëri si në kohën e luftës.

Veseli e Haradinaj u thanë ish bashkëluftëtarëve se sot janë bërë bashkë për atdheun, sikur dikur që të mos lejojnë askënd të luajë me Kosovën dhe qytetarët e saj.

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli tha se veteranët e kanë pritur 18 vite bashkimin e tyre në Fillimin e Ri, i cili orientimin kryesor tani e ka kah zhvillimi ekonomik, bujqësia, pasi kjo është e ardhmja e Kosovës.

“Jemi bërë bashkë jo për veti, jemi bërë bashkë si atëherë para 18 vite, 19 viteve, para 27 viteve, jemi bërë bashkë për Kosovën, për atdheun tonë të dashur. Jemi bërë bashkë për t’iu thënë gjithë atyre që synojnë ta cenojnë atdheun tonë, jo, se s’guxoni ta cenoni. Jemi bërë bashkë për ushtrinë e Kosovës, jemi bërë bashkë për t’iu thënë edhe atyre që duan ta shkatërrojnë shtetin tonë, jo, jemi bërë bashkë t’iu themi jo, edhe atyre që nuk dinë ta drejtojnë shtetin. Jemi bërë bashkë se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës është e ardhmja jonë, prandaj nuk duam ta lëmë atë në duar të pasigurta”, tha Veseli.

Veseli premtoi se në mandatin e tyre qeverisës do të jetë edhe ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës. Derisa, theksoi se asnjë makineri s’mund t’i njollosë bashkëluftëtaret e tyre.

“Një ndër punët e para të cilën do ta bëjmë do të jetë Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, ka nevojë dhe e nderon kombin tonë një ligj i tillë. UÇK-ja është vlera më sublime që ka pasur ndonjëherë kjo tokë dhe e tillë do të mbetet gjithmonë. Nuk ka forcë, as nuk do të ketë fuqi që ta njollos UÇK-në dhe bashkëluftëtarët tanë të lirisë. Ashtu si dje që kanë luftuar UÇK-ja me makinerinë pushtuese dhe e ka mposhtur, ashtu do ta mposhtë edhe ato makineri të cilat po tentojnë t’i njollosin bashkëluftëtaret tanë dhe t’i degdisin larg familjeve të tyre. Nuk ka forcë që mund ta ndajë Kosovës, as ta ndalë në rrugën e vet perëndimore në rrugën e integrimit në BE”, theksoi Veseli.

Derisa, shëndetësia, sipas Veselit është një plagë për të cilën duhet të punojnë, sepse mjekët kanë shëruar shumë ish ushtarë të UÇK-së, pa të cilët do të kishin edhe me shumë ushtarë që s’do të ishin sot.

Kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj theksoi se veteranët janë nderi i atdheut dhe të tillë do të mbetën gjithnjë. Haradinaj tha se nuk do të lejojnë më, që të tallet, t’i përçmojnë vlerat e luftës, qoftë nëse vjen nga brenda, apo nga jashtë. Ai tha se ka ardhur koha dhe kjo ditë që të nisë fillimi i ri, i cili është në shërbim të atdheut, derisa premtoi se çdo komunë do ta ketë Shtëpinë e UÇK-së.

“Jemi marr vesh, kemi lidh besë, kemi nisë punë për atdheun tonë me Kadri Veselin, më herët edhe Nismën, por simbolika jemi Kadria, Fatmiri, Unë, besoj këta jeni ju. Ka ardhur koha e një fillimi të ri në vendin tonë, e këtë fillim të ri kemi rënë dakord me bë në shërbim të atdheut. Pra këtë fillim të ri nëse e keni pritur një ditë, që nga lufta, nëse e keni pritur dhe keni shpresuar që vjen një ditë se do të bëhemi bashkë për të nderuar atdheun ashtu siç kemi ditë, jemi në atë ditë, kjo është dita ta nderojmë atdheun. Kryetar po të befasoj s’kam pasur rast ta them ndonjëherë, por një Kosovë që do ta ketë çdo komunë Shtëpinë e UÇK-së. Çka është Shtëpia e UÇK-së, Shtëpia e UÇK-së në qendrat e mëdha do të jetë një objekt më i madh, është një plan i madh që kushdo që e sheh në cilindo rajon do ta njoh që është Shtëpia e UÇK-së, jo vetëm nga shenjat e vendosura, por edhe nga projekti”, theksoi Haradinaj.

Kandidati për kryeministër, tha se nuk do të tolerojnë që Serbia të ketë rol dhe t’i fut duart në Kosovë.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati kërkoi nga partitë që në garën për zgjedhjet e 11 qershorit të mos bëjnë akuza ndaj njeri tjetrit, por të merren me programet politike. Ai theksoi se OVL-UÇK është mbi partiake dhe do të reagojë ndaj secilës kur është nevoja, por do të bashkëpunojë me secilën kur është interesi nacional.

“Qëndrimi ynë është mbi partiak, mirëpo, kjo nuk na pengon që të zhvillojmë bashkëpunimin tonë në interes të çështjes madhore me të gjitha partitë politike. Ne e përcjellim me shumë vëmendje situatën politike në Kosovë dhe kur e konsiderojmë të arsyeshme dhe të nevojshme marrim qëndrime kritike ndaj të gjithë atyre. Jemi në prag të zgjedhjeve dhe ne si organizata kërkojmë që ato të jenë të qeta, ku gjithë qytetarët do të votojnë lirshëm. Kërkojmë nga të gjitha partitë që të mos bëjnë akuza ndaj njeri tjetrit, por të merren me programet politike”, u shpreh Gucati.

Haradinaj e Veseli u kërkuan veteranëve që më 11 qershor të jenë të qetë dhe dinjitoz, ashtu siç kanë qenë në kohët me të vështira, raporton KosovaPress.

Back to top button