Veseli theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë

Deputetët e Saborit konfirmuan gatishmërinë dhe përkushtimin e shtetit kroat për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim Grupin e Miqësisë Kosovë – Kroaci të Parlamentit kroat, me ç’rast u bisedua për zhvillimet aktuale politike në vendin tonë, për marrëdhëniet midis dy vendeve mike dhe parlamenteve respektive.

”Veseli çmoi lart bashkëpunimin që Kuvendi i Kosovës dhe Parlamenti kroat kultivojnë midis tyre, në funksion të forcimit të miqësisë ndërmjet dy vendeve dhe popujve, si dhe të ngritjes së kapaciteteve të Kuvendit në shumë segmente”, bëhet e ditur në komunikatë.

Kreu i Kuvendit siç theksohet në komunikatë e konsideroi të rëndësishme përvojën parlamentare kroate dhe sidomos atë të procesit të integrimit evropian të Kroacisë, të cilat sipas tij, mund t’i shërbejnë Kosovës në forcimin e mëtejmë të demokracisë parlamentare dhe lehtësimit të rrugëtimit euro-integrues.

Veseli  po ashtu theksoi nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë në fushën e investimeve ekonomike.

Në anën tjetër, deputetët e Saborit, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Kosovën theksuan se vizita e tyre në Kosovë është pikërisht në funksion të forcimit të miqësisë e të bashkëpunimit midis dy vendeve, ndërsa konfirmuan gatishmërinë dhe përkushtimin e shtetit kroat për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në të gjitha drejtimet.​/21Media

Back to top button