Vetëm gjatë vitit 2019 katër gra u vranë nga burrat

Reagim me vonesë i shtetit po lejon që burrat të gëzojnë “pushtet” mbi gratë

Vetëm gjatë vitit 2019 janë katër raste kur burrat ua morën jetën grave. Përveç dhimbjes për vajzat, motrat e nënat e tyre, familjarë të këtyre viktimave po përballen edhe me ‘padrejtësinë’. Organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut po thonë se organet e drejtësisë tash e sa vjet janë vonuar në parandalimin e këtyre rasteve.

Çdo ditë me sy të përlotur e me shumë mall, ditët po i kalojnë duke e kujtuar vajzën e tyre përmes fotografive. Pothuajse në çdo cep të shtëpisë kanë zënë vend kujtime që ua la ajo, vajzës që iu mor jeta nga bashkëshorti. Vetëm kështu po e largojnë mallin Makfirja e Gëzimi, prindërit e Diana Kastratit. Ajo ishte viktimë e burrit, një e vrau, e shumë të tjerë nuk e mbrojtën.

Mëngjesin e datës 18 maj të vitit 2011, vetëm pak metra larg kësaj shtëpie në Prishtinë, ajo u vra në pikë të ditës dhe i dyshuari për vrasjen e saj, ish-bashkëshorti Adnan Jashari ende nuk është kapur nga organet e ndjekjes dhe drejtësisë së Kosovës.

Ajo kishte plot 10 vjet që ishte e martuar me Jasharin, por jeta e tyre bashkëshortore nuk kishte shkuar edhe aq mirë. Diana kishte filluar qysh moti të sulmohej fizikisht nga burri i saj, e për këtë kishte kërkuar ndihmë nga shteti. .

Baba i saj, Gëzimi në një rrëfim për kp thotë se ishin përpjekur që këto gjëra të normalizoheshin, meqë nuk ishte hera e parë që ai po ushtronte dhunë në Dianën, por nuk e kishin menduar që do të përfundonte kështu. “Vajza në atë kohë ka kërkuar një urdhërmbrojtje me të cilën nuk është marrë ai veprim nga gjykata. Pastaj në herë e dytë ka kërkuar urdhërmbrojtje emergjente, për arsye se u patën acaruar gjërat edhe më tepër, kështu që ju patëm adresuar organeve të rendit, mirëpo edhe ai urdhërmbrojtje emergjente nuk rezultoi, sepse nuk e morën atë vendim. Kështu që si pasojë e saj ndodhi edhe rasti siç ka ndodhur. Mirëpo ne nga ajo ditë nuk jemi ndalur, e as kemi heshtur duke akuzuar vetë organet e shtetit për mosmarrjen e masave adekuate për vajzën”, thotë ai.

Tash e gati nëntë vjet, ky rast ende nuk është përmbyllur. Vrasësi i Dianës vazhdon të jetë në arrati, dhe kurrë nuk është kapur nga autoritetet. Kjo për shkak se i dyshuari për vrasjen e saj, tashmë e sa vjet gjendet në Spanjë, dhe ky shtet asnjëherë nuk ka pranuar ekstradimin e tij në Kosovë.

Përveç dhimbjes që kanë për vajzën e vrarë, familja Kastrati thotë se më shumë gjatë këtyre vjetëve i ka dëmtuar procesi i gjatë gjyqësor, për çka sipas tyre janë bërë edhe shumë shkelje. “Ne jemi të vetëdijshëm që vajzën nuk mund ta kthejmë në jetë, për arsye se është e pamundur, por veprimet e tjera një far forme të parandalohen së paku edhe të shpallen fajtor ata qofshin persona juridik, qofshin persona fizik, qofshin institucione tona për mos-veprimet e tyre”, vazhdon rrëfimin ai.

Pas tetë viteve që nga vrasja mizore e Diana Kastratit, Gjykata e Prizrenit gjatë vitit të kaluar kishte marrë vendim që prindërve të Dianës, Gëzim e Makfire Kastratit, t’u kompensohet dëmi për vuajtjen që kanë përjetuar me rastin e humbjes së vajzës së tyre. Vrasje e cila besohet se erdhi si rezultat i dështimit të drejtësisë që të përmbushin detyrimin e tyre ligjor në mbrojtjen e saj.

Ky është rasti i parë kur denoncohet shteti. Mirëpo për këtë vendim ishte ankuar Avokatura e Shtetit. Kjo e fundit pretendon se Gjykata e Prizrenit gjatë marrjes së vendimit gabimisht e ka vënë përgjegjës shtetin e Kosovës. Kastrati po drejton gishtin në drejtim të institucioneve të vendit. Ai thotë se asnjëherë që nga viti 2011 nuk i ka interesuar për gjendjen e tyre. “Shteti deri më tani absolutisht nuk është marrë me rastin e situatën. As me neve si familje e viktimës, as me rastin që së paku të kemi një parandalim të rasteve. Prandaj rastet edhe po ndodhin, njëra pas tjetrës. Sigurisht që kur nuk ka intervenime nga shteti, qytetarët janë të shfrenuar edhe veprojnë”, tha ai.

Diana Kastrati, pas vetës ka lënë edhe një vajzë, që aso kohe ishte tetë vjeçare, për këtë prindërit e të ndjerës shprehin shqetësimin se si do të rritet ajo në familjen, ku ish-bashkëshorti e vrau nënën e saj.

I lodhur e i përvuajtur tash e tetë vjet po kërkon drejtësi për vajzën të cilën e përcolli me fustan të bardhë, e iu kthye e vdekur.

Antigona Morina vdiq tri ditë pasi u martua, për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, e burri i saj Hilmi Zena nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore së ndjerës. Për këtë baba i saj po pretendon se vajza iu vra pikërisht nga bashkëshorti. “Këta e kanë pas të nesërmen e kanë qu te shehu e kanë adet, ajo është parti e tyre, unë nuk ju kam përzi, e as ju përzihem. Ka thënë vjehrra e vet kqyrni bre se kam diçka nusen zajft, cika jem e ka pasur hajmalinë që e kam bërë te i njëjti sheh, i ka thënë baba sheh unë e kam hajmalinë, por ju ka thënë nusen qone te mjeku, edhe ata prej aty e kapin e qojnë në Xërxë në zijafet… pasi janë kthyer kanë shku në dhomë, ish-dhëndri jem ka rropatu ka thënë hajde se Gonja është e sëmurë, kur shkojnë shtang, kur e qojnë mjeku ju thotë është e vdekur”, rrëfen ai.

Kur Bislimi kishte shkuar në spital për të parë vajzën e tij, tregon se e kishte parë vendin plot policë, nga të cilët edhe u informua për vdekjen e saj, familjarë të ish-dhëndrit i kishin thënë se ajo humbi jetën nga infarkti.

Baba i Antigonës tregon se qysh në ditët e para kishte filluar të dyshonte për vdekjen e 29 vjeçares. “Kur e kanë marrë adetin me la, e kanë sjell një qese tesha, nuk i kam parë unë, në qafë më paqin familja ime, se qaty e kisha zbulu. Teshat kanë qenë në qafë e poshtë gjak, mua nuk më kanë tregu hiç, pas një muaji më kanë treguar ”, rrëfen ai.

Tri ditë pas kësaj, Hilmi Zena nga fshati Malësi e Vogël të komunës së Rahovecit, ishte marrë në mbajtje nga Policia.

Teksa rrëfen për këtë ngjarje, Bislimi thotë se nuk ka lënë institucion të Kosovës, pa vizituar për të kërkuar drejtësi për vajzën e tij, sipas tij ai tërë këto vjet është maltretuar në gjykata e prokurori. I pakënaqur është edhe me dënimin që i është caktuar pas kaq viteve burrit që po pretendon që ja mbyti vajzën.

Krahas kësaj, 65 vjeçari thotë se është i kërcënuar nga familja Zena. “Unë jam duke kërkuar të drejtën e çikës time, pse më vdiq cika, pa shenjë jete më doli prej dhomës brenda gjysmë ore. Pse familja e atyre kur kanë parë çikën time me marramendje, nuk e quan për ndihmë…Unë jam duke kërkuar drejtësi, ku është drejtësia, ku është vepra penale, në këto dokumente shkruan vepër penale, ai me dy vjet burg. Vet Ndrec Dodaj më ka thënë që për këtë prej pesë deri në tetë vjet burg është… Unë e du drejtësinë e evladit tim me këtë vepër penale, a kap një javë, a e kap pesë vjet, a tetë vjet, edhe është ka më kërcënon, nesër me ndodh diçka, le ta din shteti se me të kam punë “, flet Bislim Morina, derisa para vetës ka një grumbull dokumentesh.

Lista e gjatë e vrasjeve të grave nuk po përfundon këtu.

Vetëm gjatë vitit që lamë pas ishin katër gra të cilave jeta u tyre u përfundoi në mënyrë tragjike.

Në gusht të vitit të kaluar, Armenda Aliu mbeti e vrarë nga 15 plumbat e shtënë nga bashkëshorti i saj, Bajram Velija. Çifti kishin ardhur për pushime në Kosovë nga Zvicra. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në Prizren.

Po në këtë vit, një person kishte qëlluar për vdekje me armë zjarri gruan e tij, nusen e djalit e më pas ishte vetëvrarë.

Për numrin e vrasjeve flet edhe Arsim Shala, kapiten i Njësisë për Hetime rreth Dhunës në Familje. “Për fat të keq me fatalitet kanë përfunduar gjithsej gjashtë raste dhe kemi gjithsejtë shtatë viktima. Prej gjithsejtë gjashtë rasteve të raportuara këtë vit kemi katër kanë qenë kur burri e ka vrarë gruan. Një nga këto raste kemi pasur dy viktima sepse i dyshuari përveç bashkëshortes e ka vrarë edhe nusen e djalit, pastaj një rast ka qenë mes dy vëllezërve, dhe një rast nëna e ka vrarë fëmiun”, thotë ai.

Rastet e dhunës në familje, po ashtu kanë shënuar rritje. Vetëm gjatë vitit të kaluar të raportuara kanë qenë 1748 raste të dhunës në familje, e mbi 1400 janë vetëm ndaj grave. “ Në periudhën janar-nëntor 2019 janë raportuar gjithsej 1748 raste e që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018 ku kanë qenë 1269 raste pra kemi pasur rritje për 479 raste, të shprehur në përqindje 37 përqind. Nga gjithsejtë 1748 raste, 1656 raste kanë shkuar në prokurori me kallëzim penal, ndërsa 92 raste janë ende në proces të hetimeve, prej tyre 78 raste kanë shkuar me ndalim policor apo janë dërguar në prokurori me procedurë të shpejt, ndërsa 918 raste kanë shkuar në prokurori me procedurë të rregullt”, shton ai.

Për shoqërinë civile kjo është drejtësi që mbron vrasësin, e inkurajon ata. Dhe se është sistem që punon për burrat e dënon gratë. Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, thotë , se shteti po reagon me vonesë në mbrojte të viktimave.“Në disa raste ka ndodhur fatkeqësisht për shkak se shteti ka reaguar me vonesë në mbrojte të viktima, të cilat e kanë paralajmëruar dhunën paraprakisht e kanë paralajmëruar dhunën tek institucionet, mirëpo qoftë prokuroria, policia, gjykatat kanë mundur që të mos e trajtojnë seriozisht rastin dhe me ardh deri tek vrasja e tyre dhe me pas një përfundim fatal jeta e tyre për shkak të mos reagimit të institucioneve. Në rastet tjera ka ndodhur që ndoshta viktimat asnjëherë nuk iu kanë drejtuar institucioneve, mirëpo ushtruesi i dhunës në këtë rast mandej vrasësi e ka shfrytëzuar dobësinë e viktimave dhe mos lajmërimin në institucion”, thotë ajo.

Hilmi Jashari, i cili udhëheq institucionin e Avokatit të Popullit thotë se shteti duhet të marrë përgjegjësinë në rastet kur nuk ofron mbrojtjen e viktimës potenciale.“Kur ato kanë një informatë se diçka e tillë mund të ndodhë përgjegjësia është ende më e madhe, sepse praktikat e Gjykatës Evropiane thotë se në momentin kur shteti ka informacion që mund të ndodhë diçka e tillë atëherë barra është ende më e madhe për shtetin për të siguruar mbrojtjen e viktimës potenciale. Në rastin që ne i kemi pasur në trajtim për të cilat kemi publikuar raporte, kemi konstatuar që kjo ka ndodhur që shteti ka pasur informacion, autoritetet kanë pasur dijeni, mirëpo ka dështuar veprimi ose ajo që ne e quajmë juridik efektiv në mbrojtje të viktimës dhe që është shkelje e drejtave të njeriut”, thotë ai.

Kosova sipas tij, në vitin 2015 ka nxjerrë një ligj me të cilën është menduar që t’i ofrohet një mbrojtje më e mirë viktimave të dhunës, për të mos përfunduar me fatalitet.

Adelina Berisha ka bërë thirrje që gjatë vitit 2020 të zbatohet buxheti për strehimore, të cilat sipas saj janë në rrezik të mbyllen.

Të lodhur nga dhimbja, mërzia e proceset e zvarritura gjyqësore, baba i Dianës e i Antigonës bëjnë thirrje që këto raste të parandalohen nga institucionet e vendit, meqë kostoja do të jetë shumë e madhe.

Mbi 100 gra janë vrarë që nga paslufta në Kosovë nga burrat e tyre apo burra tjerë të familjes. Si rezultatë i reagimit me vonesë nga shteti në mbrojte të viktimave, burrat me dhunë e armë fizike po ‘dëshmojnë’ forcën kundër gjinisë së kundërt.

Back to top button