Vetëvendosje dyshon për një organizatë që do t’i vëzhgojë zgjedhjet

29 mijë e 264 vëzhgues në këto zgjedhje

Pjesëmarrja në zgjedhje e një organizate joqeveritare me emrin “Instituti Rajonal Demokratik Për të Drejtat e Njeriut dhe Studime” për Adnan Rrustemin të Vetëvendosjes është e dyshimtë.

Sipas tij, kjo organizatë dyshohet se ka prapavijë tjetër dhe punon për një subjekt politik.

Ai tha se kjo organizatë joqeveritare nuk ka vëzhguar asnjë proces zgjedhor dhe krijon dilema se mund të jetë një organizatë manipuluese e cila gjithsej ka 4mijë e 548 vëzhgues në terren gjatë ditës së zgjedhjeve.

“Ne duhet të sigurohemi që këta janë  vërtet vëzhgues dhe që e kanë vëmendjen ose kujdesin e vëzhguesve të shoqërisë civile dhe nuk janë dorë e zgjatur e subjekteve të caktuara politike që pastaj mund të na shërbejnë si pengesë në procesin zgjedhor”, tha ai.

Sipas kryetares së Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, Miradije Mavriqi, duke e larguar përgjegjësinë nga kjo zyrë tha se kjo OJQ i ka përmbushur të gjitha kushtet për akreditim ashtu siç e parasheh ligji dhe për hulumtime më të thella nuk është në kompetencën e tyre.

Në mbledhjen që u mbajt, KQZ ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar është 29 mijë e 264 vëzhgues.

Sipas tyre, 160 vëzhgues nga 8 ambasada, 301 vëzhgues nga 7 organizata ndërkombëtare, 8 mijë e 830 vëzhgues nga OJQ – Vendore, 3 mijë e 657 vëzhgues nga Partitë Politikë pjesëmarrëse në këto zgjedhje, 15 mijë e 784 vëzhgues nga koalicionet pjesëmarrëse në këto zgjedhje, 27 vëzhgues nga institucione ndërkombëtare (Trupa të Menaxhimit të zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës),  1 vëzhgues nga 1 institucion vendor,  468 vëzhgues të akredituar që përfaqësojnë media vendore, dhe  36 vëzhgues të akredituar që përfaqësojnë media ndërkombëtare.

Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Betim Gjoshi ka kërkuar nga vëzhguesit që të jenë pjesëmarrës edhe në procesin e numërimit të votave.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi tha se i gjithë materiali sensitiv dhe fletëvotimet janë në depot e tyre dhe se shpërndarja e tyre do të bëhen nesër.

Halimi ka treguar se deri më datën 8 qershor  kanë arritur në postë gjithsej 2 mijë e 360 pako me fletëvotime, ndërkaq nesër në ora 00:00 do të përfundoj ky proces.

Gjatë kësaj mbledhje të Komisionit Qendror Zgjedhor është miratuar edhe plani organizativ për ditën e zgjedhjeve ndaj të cilit është rekomanduar të bëhen disa ndryshime të vogla me qëllim që procesi zgjedhor të shkoj në rregull./21Media

 

 

Back to top button