Vetëvendosje me propozim të ri për LDK-në

LDK pritet të shqyrtojë propozimin

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar një propozim të ri nga Lëvizja Vetëvendosje.

Këtë e konfirmoi zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili ka thënë se propozimi i djeshëm është shumë i ngjashëm me atë të takimit të fundit, por me disa ndryshime.

Sipas Mustafës, ky propozim do të shqyrtohet shumë shpejt.

Dje nga LVV-ja kemi pranuar një propozim shumë të ngjashëm me atë të paraqitur nga ta në takimin e fundit të javës së kaluar, me disa ndryshime të vogla, të cilat do të shqyrtohen shumë shpejt”, tha Mustafa.

Oferta e VV-së për LDK-në në takimin e fundit ishte që LDK-së t’i takojnë 6 ministri, ndërsa Vetëvendosjes 4 ministri.

Pas postit të presidentit, Vetëvendosjen e LDK-në po i ndan kryeparlamentari, të cilin LDK e votoi javë më parë. Njohësit e proceseve politike në vend theksojnë se këto dy parti duhet të fokusohen ne negociata për pozita të zbrazëta dhe jo për çështjen e kryeparlamentarit.

Kanë kaluar tashmë tre muaj negociata, në mes të Kurtit dhe Isa Mustafës dhe akoma nuk kanë arritur të dakordohen për krijimin e koalicionit dhe formimin e qeverisë së re. Edhe pse takimet janë të shpeshta, përfundimi deri tash po del të jetë i njëjti, pa marrëveshje. E më të dëmtuarit në këtë pjesë po shihet të jenë qytetarët e Kosovës, të cilët janë shprehur të shqetësuar dhe të zhgënjyer për këtë proces, i cili nuk dihet se kur do të mbarojë./21Media

 

Back to top button