Vetëvendosje thotë se PDK sot është sikur PSD në qeverisjen e kaluar

 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës praktikisht është pjesë e qeverisë aktuale.

Sipas tij, PDK po bënë lojë të dyfishtë sikur PSD dikur ku votojnë buxhetin dhe nuk prekin interesat e së shkuarës.

“Sa i përket politikave dhe mënyrës së qeverisjes dhe interesave në qeverisje PDK praktikisht është pjesë e qeverisë, është një lojë dyfishtë e PDK-së që është e ngjashme që ka qenë dikur e PSD-së ku votohet edhe buxheti, pra nuk cenohen interesat e së shkuarës dhe kjo praktikisht e bënë që PDK të jetë pjesë e qeverisë”, tha ai.

Në një konferencë për media, Aliu tha se dallimi në mes të qeverisjes aktuale dhe asaj ku formalisht do të ishte PDK me ministra, është i vogël.

“Dallimi në mes të qeverisjes aktuale dhe të qeverisjes ku formalisht do të jetë PDK brenda kësaj qeverie me ministra apo jo është shumë i vogël, nuk ka, praktikisht PDK është në qeveri sot”, shtoi Aliu.

Këto deklarata Aliu i ka bërë pasi ka folur për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e zi, sot kur bëhen pesë vjet nga nënshkrimi i saj.

Back to top button