Vijon hetimi për vaksinën anti-COVID, protesta në veri

 

Prokuroria Themelore në Mitrovicë është duke vijuar hetimet lidhur me futjen ilegale të vaksinave anti-COVID në veri të vendit. Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni ka thënë se ende janë duke mbledhur informacione për të vlerësuar se nëse janë futur dhe si është bërë importimi i tyre.

“Pas informacioneve të pranuara dhe raporteve në media lidhur me futjen potenciale të vaksinave anti-COVID në pjesën veriore të Kosovës pa përfillur dispozitat e zbatueshme ligjore, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim të ngushtë me policinë, janë duke mbledhur informacione për të vlerësuar nëse vaksinat janë sjellë në Kosovë, si dhe nëse importimi i tyre është bërë në pajtim me protokollet përkatëse për mbrojtjen e shëndetit publik dhe kërkesat ligjore që rregullojnë këto çështje”, ka thënë Preteni për kp.

Tutje në përgjigjen me shkrim thuhet se prokuroria do të jetë syhapur për hetimin dhe ndjekjen e veprimeve të kundërligjshme, të cilat mund të rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë publike.

“Ne sigurojmë publikun se mbetemi syhapur në zbulimin, hetimin dhe ndjekjen e veprimeve të kundërligjshme që mund të rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë publike, si dhe mbetemi të përkushtuar që të sigurojmë që askush të mos shfrytëzojë situatën e krijuar si rezultat i pandemisë gjatë kësaj kohe kritike. Prokuroria do ta mbajë publikun të njoftuar në vazhdimësi me zhvillimet”, ka deklaruarPreteni.

Ndërsa, kundër këtij procesi hetimor sot ka dalë personeli mjekësor në veri të vendit. Ata kanë protestuar sot para Spitalit të Mitrovicës të veriut dhe Prokurorisë Themelore.

“Pse ata nuk na lejojnë të luftojmë COVID-19”, “Ndaloni gjuetinë ndaj mantelbardhëve”, “Mjekët konsiderohen heronj në të gjithë botën, ndërsa në Prishtinë konsiderohen kriminelë”, ishin parullat, të cilat i mbajtën në duar.

Kujtojmë se pas raportimeve për futjen e kundërligjshme të vaksinave antiCOVID-19 në veri të vendit, është deklaruar edhe Qeveria në detyrë e Kosovës.

Nëpërmjet një komunikate nga zyra e kryeministri më 26 dhjetor 2020-të thuhej se nëse vaksina ja hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këta aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra.

“Përndryshe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Çdo produkt mjekësor që hynë në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet rregullave të importit, qoftë ai donacion apo import i rregullt, duke pasur autorizim-marketing për produktin, të lëshuara nga AKPPM (Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisjes Medicinale). Nëse një produkt nuk e respekton këtë procedurë të rregullt, ai konsiderohet produkt ilegal. Ndërsa organet kompetente ndërmarrin veprimet e duhura ligjore”, është bërë e ditur në reagimin e qeverisë.

Back to top button