Visar Azemi iu bashkua LDK-së

Aktivisti Visar Azemi sot iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu bëri të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili u shpreh se Azemi i bashkohet ekipit të tyre politik me një bagazh të jashtëzakonshëm vlerash e përvojash.
“Visari është inxhinier i diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në fushën e Sistemeve Elektroenergjetike. Ai ka vazhduar më pas studimet postdiplomike në Univeristy of Maryland Global Campus, në drejtimin e Menaxhimit Ndërkombëtar Financiar. Visari shërbeu dhe si ligjerues në lëndët e Algjebras dhe Shkencave Kompjuterike për Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpër baza të ndryshme ushtarake në botë. Përgjatë dhjetë viteve të shkuara, Visar Azemi shërbeu si aktivist i shoqërisë civile, me angazhim të gjerë në fushën e energjisë së ripërtëritshme, integrimin e tregut energjetik, ekonomisë qarkore dhe tranzicionit energjetik në gjithë Ballkanin Perëndimor. Së fundmi, ai shërbeu edhe si Drejtor Ekzekutiv i Balkan Green Foundation. Përgjatë kësaj kohe, ai ka qenë autor i një numri të madh studimesh e publikimesh mbi energjinë e qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.”, shkroi ai.
I pari i LDK-së u shpreh se aderimi i Azemit në LDK është vlerë për ta.
“Ai bëhet pjesë e profesionistëve më të mirë të vendit që zgjedhin të lënë komfortin jetësor për angazhim vullnetar politik. Me profesionistë e njerëz të tillë, dhe të tjerë që do të na bashkohen në vijim, e ardhmja e LDK-së është e sigurt; e nga aty dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës.”, shkroi tutje ai në Facebook./21Media

Back to top button