Mustafi: Jemi mbi 100 mijë shqiptarë në Luginë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po përpiqet të devijojë numrin real të shqiptarëve në përfundim të procesit të regjistrimit të popullsisë në Serbi.
Mustafi përmes një postimi në Facebook ka reaguar ndaj deklaratës së Vuçiqit se “pas regjistrimit të popullsisë, nuk do të dihet më numri i saktë i shqiptarëve në Serbi, sepse shumë familje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë regjistrojnë anëtarë që nuk jetojnë në Serbi”.
Sipas tij, kjo deklaratë madje është parapërgatitje e valës së re të kontestimit të numrit të saktë të shqiptarëve në Luginë.
“Z. President nuk janë 5809 shqiptar në Serbi, nuk janë 1118 shqiptar në Luginë sipas statistikave zyrtare të vitit 2011. Deklarimet e tuaja nuk mund të kuptohen ndryshe përveç se në shërbim të devijimit të numrit real të shqiptarëve në përfundim të procesit regjistrimit popullsisë. Nuk mund të jenë të shkëputura nga pengesat e paraqitura në Medvegjë. Z.President, lexoni kushtet për regjistrim, të informoheni para se të jepni deklarata tendencioze në të cilat sulmoni një komunitet i cili është i shtypur vazhdimisht! Ne jemi shumë më shumë, jemi mbi 100 mijë shqiptarë në Luginë. Kështu do ta thotë edhe regjistrimi i popullsisë në regjistrin zyrtar të Entit të Statistikave Republikane”, ka shkruar Mustafi.
Mustafi  ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare të monitorojë e të mos lejojë shtrembërim të shifrave në përfundim të procesit të regjistrimit të popullsisë./21Media 
 

Back to top button