Viti i Ri solli rritje të rasteve me Covid-19, Asani: Shkaku i festave, na pret valë e re

Dy ditët e fundit ka rritje të numrit të të infektuarve me Covid-19. Përderisa para disa ditësh realizoheshin numër i përafërt testesh, raste pozitive kishte më pak në nivel ditor.

Mjeku Arben Asani vlerëson se kjo do të jetë vala e ardhshme e virusit korona, e cila tashmë ka kapluar mbarë Evropën.

  • 1 janar 2022 – 6.651 teste, kanë rezultuar pozitivë 435 persona.
  • 31 dhjetor 2021 – janë bërë 5.990 teste, kanë rezultuar pozitivë 542 persona.
  • 30 dhjetor 2021 – janë bërë 5.489 teste, kanë rezultuar pozitivë 373 persona.
Mjeku Arben Asani për TV21 tha se në 10 ditët e ardhshme pritet që rastet pozitive me virusin korona të rriten dyfish më shumë, kjo si rezultat i festave të fundvitit. Qytetarët harruan distancën dhe maskat dhe festuan nëpër shtëpi e lokale, duke e harruar virusin korona, tha Asani. Na pret një valë e re dhe përkeqësim i situatës epidemiologjike edhe për shkak të mungesës së masave më rigoroze, shtoi ai.
Dje, ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe njoftoi se vetëm në Klinikën Infektive të Shkupit po trajtohen 60 pacientë pozitivë me virusin korona, e 40 prej tyre janë në mbështetje të oksigjenit.
Në Maqedoninë e Veriut është shënuar edhe një rast me llojin e ri të virusit korona, Omicron. Ministri në largim Filipçe, megjithatë vlerësoi se situata është e qetë dhe se nuk ka nevojë për masa shtesë restriktive dhe as ndonjë masë për nxitjen e vaksinimit te qytetarët, shkruan TV21./21Media
Back to top button