Vitia paralajmëron mbajtjen e një Kongresi të Shëndetësisë në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia mori pjesë dje në “Kongresin e Shëndetësisë” në Tiranë, ku ishte pjesë e panelit në sesionin e parë me temën “Financimi i shëndetësisë për përmirësimin e sistemit shëndetësor duke rritur qëndrueshmërinë dhe përshtatshmërinë”.
Vitia, siç informoi MSh, paralajmëroi mundësinë e mbajtjes së një kongresi të të tillë gjatë vitit të ardhshëm në Kosovë.
“Ky sesion në fokus kishte modele të ndryshme të financimit të sistemit të kujdesit shëndetësor, si dhe në rolin që luajnë programet parandaluese dhe depistuese për adresimin e mirëqenies së popullatës, duke reduktuar kostot dhe barrën financiare në pjesën e shpenzimeve publike në shëndetësi”, u bë e ditur në komunikatë.
Gjithashtu, nga pjesëmarrësit diskutimi u përqendrua edhe në investimet e nevojshme për të rritur qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë e sistemit të shëndetësisë.
Në këtë kongres u diskutuan praktikat më të mira ndërkombëtare, për të mësuar dhe për të përshtatur ato në qëllim të ofrimit të një kujdesi më të mirë, rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe për t’u përditësuar me risitë më të fundit në fushën e shëndetësisë.
Ministri Arben Vitia mori pjesë në Kongresin e Shëndetësisë të organizuar në Tiranë, me ftesë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri.

Back to top button