Vitia: “Pharma Leader” falsifikoi dokumentet në tenderin e insulinave

Ministria e Shëndetësisë ka dorëzuar prova për hetim, me dyshimet për mashtrim nga kompania “Pharma Leader” lidhur me tenderin për insulina.

Ministri i MSh-së Arben Vitia deklaroi se ky operator ekonomik dyshohet se nuk ka pasur asnjë marrëveshje për të importuar insulina në Kosovë.

Lidhur me këtë, ai në konferencë për media shtoi se kanë njoftuar zyrtarisht se ky operator ekonomik nuk ka pasur leje për import nga prodhuesi amerikan “Eli Lilly” e as të kompanisë në Maqedoni të Veriut.

Vitia tha se verifikimin për vërtetësinë ose jo të këtij dokumenti të pretenduar si Ministri e Shëndetësisë, e kanë pranuar ditën e djeshme pas përfundimit të orarit administrativ.

“Jemi sot këtu që ta shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me dyshimet për veprën penale ‘falsifikim i dokumentacionit në tender nga ana e operatorit ekonomik’ “Pharma Leader”. Dje në datën 12 qershor, jemi njoftuar zyrtarisht se asnjëherë, në fakt kompania “Pharma Leader” në dokumentacionin e fundit nuk ka pasur asnjë leje apo marrëveshje për të importuar insulina në Republikën e Kosovës. As nga prodhuesi amerikan, as nga kompania në Maqedoni të cilin pretendon”, tha Vitia.

Tutje, Vitia ka treguar se si kompania “Pharma Trade” në Maqedoni të Veriut kishte thënë se dëshmia e ofruar nga “Pharma Leader” nuk është valide.

“Me dokumentin e muajit maj të vitit 2023, operatori ekonomik e ka ofruar një dëshmi, një statment nga ‘Pharma Trade’, në gjuhën angleze. Me qëllim të konfirmimit të rregullsisë dhe dëshmisë, Ministria e Shëndetësisë ka kontaktuar përmes shkresave elektronike me kompaninë ‘Pharma Trade’, me seli në Maqedoninë e Veriut. Nga ana e kompanisë “Pharma Trade” kemi pranuar përgjigjen përmes postës elektronike me shkrim se dëshmia e ofruar nga ‘Pharma Leader’ nuk është valide dhe se ata nuk kanë ofruar asnjëherë një dëshmi të tillë. Në pyetjen tonë ‘nëse prodhuesi ‘Eli Lilly and Company’ është në dijeni për përmbajtjen e kësaj shkrese, dëshmie të ofruar nga “Pharma Leader”, përgjigja është se as prodhuesi nuk është në dijeni të ekzistimit të një shkrese të tillë, që kompania e ka prezantuar si dëshmi në Ministrinë e Shëndetësisë”, theksoi ai.

Bazuar në verifikimin e dëshmive të prezantuara, Vitia shtoi se dyshohet se ky operator ekonomik ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

“Bazuar në këtë korrespodencë të verifikimit të dëshmive të prezantuara, operatori ekonomik “Pharma Leader” dyshohet tashmë se ka ofruar dokument të falsifikuar, gjë që konsiderohet vepër penale. Sipas kodit penal të Republikës së Kosovës, neni 390, është e përcaktuar vepra penale si falsifikim i dokumenteve, kushdo që përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, ose me dije përdor dokumentin e falsifikuar për të ndryshuar si origjinal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet”, shtoi Vitia.

Ministri i Shëndetësisë tha po ashtu se edhe më parë u kanë bërë thirrje kompanive për regjistrim të insulinave. Ndërkaq, bëri të ditur se ditën e sotme kanë dorëzuar këto prova për hetim në organet kompetente.

“Tani po bëhet e qartë pse gjithë kjo rezistencë. Kompania në fjalë nuk ka dashur të aplikojë autorizim marketing, sepse nuk ka mundur. Sepse nuk kanë pasur leje nga prodhuesi amerikan. Pyetja që shtrohet këtu është ‘nga do t’i merrnin insulinat kur nuk kanë pasur leje për t’i marrë ato amerikane. Produkte falso, kontrabandë apo çfarë? Kjo duhet kuptuar dhe sqaruar sa më parë. Prandaj, sot në mëngjes këto prova menjëherë i kemi proceduar te organet kompetente për hetim të mëtutjeshëm. Një kopje e shkresës është dorëzuar edhe fizikisht në Policinë e Kosovës dhe që të gjitha shkresat elektronike tashmë i kanë organet e sigurisë si prova ku dyshohet për vepër të rëndë penale, siç është ‘falsifikimi i dokumentit me qëllim të përfitimeve të jashtëligjshme’. Por, në këtë rast jo vetëm kaq, potenciali i dëmtimit të shëndetit publik dhe shumë probleme të tjera të shkaktuara gjatë gjithë kësaj periudhe”, përfundon Vitia.

Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi shtoi se paraditen e sotme kanë bërë disa telefonata me përfaqësuesit e “Pharma Trade” në Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, theksoi se tenderi do të rihapet sërish.

“Është në fazën e pritjes divizioni i prokurimit se çfarë do të ndodhë nëse do të ketë ankimime, pas përgjigjes në kërkesën për rishqyrtim nga operatori ekonomik. Ndërsa, stoqet me insulina janë diku edhe për një muaj, një muaj e gjysmë. Një procedurë tjetër e prokurimit veç është iniciuar para një muaj e gjysmë, procedurë kjo emergjente për furnizimin me insulina. Nëse do të ketë edhe kjo procedurë e rregullt zvarritje, atëherë do të procedohet me aktivitetin emergjent. Me rëndësi është që janë të menduara gjitha skenarët në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa to (insulina)”, theksoi Bardiqi.

Back to top button