Vitia: Së shpejti emërohen anëtarët e bordit të ShSKUK-së

Edhe tri ditë bëhen një muaj prej kur bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, i ka skaduar mandati. Por, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia thekson se procesi i emërimit të anëtarëve të këtij bordi është para përfundimit.

Megjithatë ky proces po kritikohet nga partitë opozitare të cilat po konsiderojnë se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të ShSKUK, po ballafaqohet konflikt interesi.

Vitia deklaroi se njërin nga emrat e këtij bordi janë në pritje të përgjigjes nga Agjencia Kundër Korrupsion për të parë se a ka konflikt interesi apo jo.

I pari i shëndetësisë kosovare, Arben Vitia u shpreh po ashtu se në krye të këtij bordi të ShSKUK-së, janë propozuar njerëz profesional që do ta përfaqësojnë më së miri këtë detyrë.

“Procesi është para përfundimit një nga anëtarët e bordit të cilin ne e kemi propozuar po presim nga institucionet relevante, konkretisht nga Agjencioni Anti-Korrupsion nëse ka konflikt interesi apo jo dhe sapo të kthehet dhe këtë e kemi dërguar para një kohe dhe sapo të kthehet përgjigjet, menjëherë do të procedohet… Kanë pretenduar disa se mund të jetë konflikt interesi për shkak se është zyrtar i lartë dhe për të sqaruar çdo dilemë, ne kemi dërguar në AKK dhe po presim përgjigje…Janë zgjedhur emrat më profesional dhe mendoj se do ta prezantojnë më së miri dhe do të jenë në nivel të detyrës në një organ shumë të rëndësishëm siç është bordi i ShSKUK-së“, u shpreh Vitia.

Ndërsa, anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu u shpreh se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të ShSKUK-së, po ballafaqohet me konflikt interesi, prandaj nevojiten edhe interpretime nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Deputeti i PDK-së e konsideron papërgjegjësi totale mënyrën se si qeveria po e menaxhon sektorin e shëndetësisë.

“Tani po bëhen një muaj pa bord është e vërtet qe MSh ka propozuar emrat e saj për Bord, por nuk janë miratuar nga Qeveria, ka konflikt interesi dhe konflikte të tjera të interesit në mes të ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë kryesisht po bëhet një luftë e grupeve të caktuara të interesit për ta marr nën kontroll bordin e ShSKUK-së dhe një papërgjegjësi totale… ndoshta dhe më mire pa Bord sesa me Bord të cilët keqpërdorin pozitat të cilat i marrin për të udhëhequr…. Kjo mënyrë e udhëheqjes se menaxhimit dhe kjo mënyrë e propozimit të anëtarëve të Bordit po bëhet për grupe të caktuara të interesit dhe konflikti është mes grupeve të interesit dhe jo mes profesionistëve shëndetësor për t’i zgjedhur aty. Prandaj, janë këto probleme janë propozuar emrat qe duhet vlerësimi i tjetër kujt për tu u vendosur në pozita të caktuara sikur të ishin ekspert të fushave të caktuara nuk do të kishte nevojë as për interpretim të Agjencionit Anti-Korrupsion”, tha ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj vlerëson se edhe ky proces po neglizhohet.

Sipas tij, është lluks i tepruar që institucionet shëndetësore të mbesin pa titullar.

“Të gjitha agjencionet, Bordi, SHSKUK janë me ushtrues detyre dhe pa një përgjegjësi direkte qoftë të raportimit, marrjes së vendimeve, përmirësimit, avancimit çfarëdo problematike tjetër qe ka shëndetësia përjashto pjesën politike të MSH. Mendoj se kjo është një neglizhencë e tepruar dhe është një luks i tepruar që institucionet kryesore shëndetësore të jenë pa titullar ashtu siç ishte vitin e kaluar 80 ditë pa ministër ashtu po doket se është një avaz i njëjtë derisa të gjendet një riciklim i njëjtë i anëtarëve të Bordit për shkak të interesave aty janë trashur në kuptim të këtij dy vjeçari dhe është e vështirë të krijohet një situatë e re me njerëz të rinjë të cilët kanë elani dhe energji për ndryshime pozitive”, tha ai.

Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) i ka skaduar mandati më datë 27 mars 2023. Bordi i cili është emëruar më datën 27.03.2020, e të cilit tashmë i ka skaduar mandati, ka qenë me këtë përbërje: Aida Rexhepi, Agreta Gecaj-Gashi, Vjollca Kodolli, Xhevat Jakupi, Enver Gashi dhe një përfaqësues i MSH-së.

Back to top button