Vizita e Putinit në Serbi, Krasniqi sqaron mesazhet për Kosovën

Mesazhet e Putinit e përkeqësojnë gjendjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Presidenti rus, Vladimir Putin vizitoi sot Serbinë. Gjatë kësaj vizite, Putin diskutoi zgjidhjen e krizës së Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet rajonale me homologun e tij Aleksandër Vuçiç. Profesori universitar, Milazim Krasniqi e sheh këtë vizitë negative në raport me Kosovën. Ai në një intervistë për portalin rtv21.tv shpejgoi mesazhet që bartë kjo vizitë.

Si komentoni vizitën e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin  në Serbi?

Vizita e Putinit në Serbi është shenjë e një partneriteti  strategjik që është shpallur shumë më herët, i cili tash kurorëzohet faktikisht me futjen e Serbisë në orbitën e ndikimit rus. Kjo u pa edhe gjatë vizitës së sotme me rreth 20 marrëveshje ndërmjet dy qeverive, u pa edhe me deklaratat e Putinit që e quajti Serbinë shtet vëlla dhe serbët vëllezër, pra me gjithë ikonografinë dhe retorikën  tregon që idetë e pansllavizmit  dhe panortodokësisë janë idetë dominonte. Kjo në fakt do të thotë se Serbia nuk ka kurs të mirëfilltë evropian, por më shumë anon  drejt pansllavizmit edhe panortodokësisë si një  lloj sateliti  nën ndikimin rus .

Çfarë ndikimi do të ketë kjo vizitë për Kosovën?

Unë besoj se ndikimi i kësaj vizite  në raport me Kosovën  do të jetë shumë negativ , (Putin) në intervistën që ka dhënë për  gazetat “Politika” dhe “Večernje novostika” ka kërcënuar shumë ashpër për Kosovën, ka thënë që Kosova është shpallur  shtet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare  ndërsa e vërteta është  që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka shpallur që Kosova nuk është shpallë shtet në kundërshtim  me të drejtën ndërkombëtare. Pra ai vazhdon një armiqësi  të ashpër ndaj Kosovës  po ashtu  ka deklaruar që shndërrimi i FSK-së në ushtri do ta destabilizojë Ballkanin. Me një fjalë  edhe në këtë vizitë ai ka shprehur armiqësi të hapur ndaj Kosovës,  gjë që me siguri ka me pasur reflektime në dialogun e ardhshëm  kështu që Serbia sigurisht do të merr një  kurs edhe ma të ashpër ndaj Kosovës.

Si pritet të reagojë Bashkimi Evropian pas kësaj vizite?

BE-ja në raport me Rusinë  është shumë inferiore  nuk ka as kapacitete as  fuqi që të rezistojë ndaj  presioneve ruse, veçmas janë nën presion republikat baltike, Rumania mbase edhe Gjermania, kështu që Bashkimi Evropian nuk do të ketë fuqi  të rezistojë. Jam i bindur që  procesi i integrimit të Serbisë  do të ngadalësohet  mbas kësaj vizite ashtu që dështimi i Bashkimit Evropian  në Serbi, por edhe dështimi në negociata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë  do të jetë evident  mbas kësaj vizite.

Cili do të jetë roli i Amerikës në raport me Kosovën pas kësaj vizite?

Problemi më i madh në krejt këtë është roli i Amerikës që është i paqartë  sepse politika e Trumpit nuk është politikë e kontinuitetit  në administratat e mëhershme  të Obamës , George Bush dhe Clintonit, është një politikë e paqartë,  është një politikë me elemente aventurizmi, kështu që kjo paraqet shqetësim  shtesë  edhe për Kosovën edhe për Ballkanin, sepse Amerika së paku me  këtë që po shihet  nuk është më ajo e vjetra  që i ka të qarta sferat e interesit  dhe që i mbron ato sfera interesi nga  ndikimet ruse.

Kur po thoni që Amerika nuk është e njëjta, në këtë rast kah po shkon Kosova?

Kosova është në një situatë jashtëzakonisht të keqe shumë të vështirë, Bashkimin Evropian e udhëheqë për këtë periudhë gjashtë mujore Rumania e cila nuk e njeh Kosovën, OSBE-në e udhëheq Sllovakia e cila nuk e njeh Kosovën, zyrtarët e Administratës Amerikane  në krye me John Boltonin proklamojnë  një marrëveshje që nuk përjashton  edhe shkëmbimin e territoreve, pra Kosova është në vështirësi shumë serioze  në këtë konsullacion ndërkombëtar. Pra, mesazhet e Putinit në Beograd  po ashtu e përkeqësojnë edhe ma shumë tablonë lidhur me gjendjen e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Ku e shihni zgjidhjen për Kosovën në këtë fazë?

Zgjidhjen të them të vërtetën momentalisht nuk shoh zgjidhje të mirë për Kosovën, prandaj ka kohë që kam thënë që zgjidhja më mirë për Kosovën është status quo-ja, pra me e shty  sa ma larg që të jetë e mundur  këtë procesin e negociatave  deri sa të qartësohet politika amerikane  dhe derisa të ndryshon udhëheqja në Bashkimin Evropian. Përndryshe  në këtë momentum të cilin jemi, klima kundër Kosovës është goxha armiqësore në të gjitha drejtimet, vet fakti që nuk jepet liberalizmi i vizave, vet fakti që ka filluar me intensitet enorm të punës Gjykata Speciale, vet fakti që ndaj qeverisë së Kosovës  edhe Administrata Amerikane bën presion për heqjen e taksës  tregon që  Kosova nuk i ka punët mirë në arenën ndërkombëtare.

Cili është mesazhi i qenit të Sharrit të cilin Vuçiq ia dhuroi Putnit?

Qeni i Sharrit në literaturë është mësuar si Qen Mollos Ilir. Viti 1931  sa mbaj mend në Jugosllavi është marrë  një vendim me ia ndërruar emrin  prej Qen Ilir me e bërë  Qen Sharri. Do me thënë e kanë uzurpuar si edhe lahutën. Mesazhi është që Putini  ta mban atë qen në shtëpi  dhe çdo ditë të mendojë  për prejardhjen e atij qeni, prejardhja e tij është prej Kosovës, pra që të mendojë për Kosovën sot, pra është një mesazh djallëzor, dinak, i mbrapshtë por kjo është gjendja reale tash për tash./21Media

Back to top button