Vjedhja e mbi 2 milionëve nga Thesari i Shtetit, Gjykata merr vendim për të akuzuarit

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve L.G dhe K.Sh, të cilët ngarkohen me akuzën se i shkaktuan dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.
Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv, zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.
Gashi ka njoftuar se në këtë rast nga mbrojtësit e të pandehurve janë ushtruar kundërshtimi i provave dhe kërkesa për hudhje të aktakuzës.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special përmes aktvendimit të saj, ka refuzuar kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës”, ka thënë Gashi.
Të akuzuarit tani për tani janë në paraburgim lidhur me këtë vendim palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Sipas aktakuzës, L.G më 9 tetor 2020, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës ka ndërhyrë në ndarjen buxhetore, dhe ka transferuar shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, në llogarinë bankare në emër të “LDA GROUP”, SH.P.K.
Kurse, K.Sh akuzohet se më 9 tetor 2020 me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit L.G, i ka ndihmuar të njëjtit duke i dhënë në dispozicion të dhënat e plota për subjektin juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare të të njëjtës, ku person i autorizuar i të cilës me kompetenca të plota është i akuzuari K.Sh, me ç’rast i ka mundësuar të akuzuarit L.G që paratë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centëm t’i transferojë në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të këtij subjekti./21Media

Back to top button