Vjen reagimi nga Shtëpia e Bardhë: Kosova dhe Serbia të fillojnë sa më shpejt zbatimin e obligimeve

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë përshëndetur dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se SHBA-të mirëpresin marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja.

“Ne mirëpresim marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Watson.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.

Back to top button