Vlerësohet figura e Sabit Veselit

Sabit Veseli ishte një ndër veprimtarët më të përkushtuar të çështjes kombëtare, njëri ndër kuadrot më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe frymëzim për gjenerata të tëra atdhetarësh. Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë akademisë përkujtimore me rastin e 12-vjetorit të ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Sabit Veseli.
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza tha se heroi Sabit Veseli ishte i gatuar për vepra të mëdha, sepse punë të mëdha kërkonte koha dhe si i tillë do të kujtohet gjithmonë.
“Punë shumë e fjalë pak, karakter i fortë e me vizion, i vendosur dhe i gatshëm edhe për sakrificën sublime. I regjur në veprimtari dhe i gatuar për vepra të mëdha sepse punë të mëdha kërkonte koha. Të tilla i duheshin rrugës së idealeve të mëdha, rrugës së mundimshme të lirisë. Punë të mëdha e njerëz të gatuar për to. Pra, këtyre shtigjeve ecën heronjtë tonë dhe të tillë e njohëm dhe do ta kujtojmë heroin Sabit Veseli”, u shpreh Hamza.
Duke folur për veprimtarinë e tij të begatë, Valdete Idrizi, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, tha se Sabiti deri në fund të jetës së tij nuk u ndal asnjëherë në mbështetje të ushtarëve, duke mos kursyer asgjë.
“Deri në fund të luftës qëndroi në mbështetje të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për plotësimin e nevojave të tyre nuk u ndal asnjëherë, duke mos kursyer asgjë”, theksoi Idrizi.
Halil Selimi, bashkëveprimtar i heroit, gjatë fjalimit të tij potencoi se Sabiti ishte fjalë pak, por veprimtar i madh.
“Sabiti ishte fjalë pak, por veprimtar i madh dhe kjo nuk e bënë të heshtur aspak, madje as në kuptimin simbolik, sepse flet e kumbon veprimtaria e tij gjithmonë”, u shpreh Selimi.
Akademia përkujtimore që u shoqërua me recitale e muzikë klasike, u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Mitrovicës, Bedri Hamza, ndërsa familjarë, përfaqësues të institucioneve, bashkëluftëtarë, si dhe qytetarë të shumtë, gjatë ditës kanë bërë homazhe pranë varrit të veprimtarit në fshatin Broboniq.
Ndryshe, Sabit Veseli ka humbur jetën tragjikisht më 6 gusht të vitit 2010 në një aksident komunikacioni në fshatin Koshtovë të Mitrovicës. Ai ka lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë.

Back to top button