VMRO-DPMNE: Maqedonia me LSDM-BDI vetëm do të fundoset

 

Partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, nëpërmjet një kumtese për media thonë se Qeveria e re e udhëhequr nga Zaev nuk ka asgjë të re për të ofruar dhe vetëm do të vazhdojnë me krimin dhe korrupsionin.

“Zoran Zaev tregoi se nuk ka asgjë të re për të ofruar. Tregoi vetëm se periudhën e ardhshme LSDM do të vazhdojë në të njëjtën rrugë, rrugën e krimit, korrupsionit dhe reketimit me të njëjtat kuadro kalimtarë.

Njerëzit që e futën në borxh shtetin dhe mundësuan fitime milionëshe për kompanitë e Zaevit, njerëzit që lanë mijëra në rrugë, dështuan bankat dhe realizuan plaçkitje masive nuk mund të jenë e ardhmja e Maqedonisë.

Zaevi vetëm do ta forcojë krimin. Spasovski, i cili është ministri më i pasuksesshëm në MPB, do ta udhëheq përsëri këtë ministri, si dhe Shekerinska dhe Filipçe, këta janë njerëzit që nuk mund ta çojnë vendin përpara, vetëm prapa.

Boçvarski, i cili i shpërndante tenderët e babait të tij përderisa ishte kryetar komune, tani do të ketë mundësinë ta bëjë këtë përmes Ministrisë së Transportit. Shahpaska do t’i punësojë të afërmit e saj, Mariçiq do ta degëzojë klanin në gjyqësor.

Artan Grubi dhe Bujar Osmani, të cilët e quajtën LSDM-në një parti të tenderit dhe se nuk do t’a falnin Zaevin për fyerjet ndaj BDI-së, e përulën përsëri kokën dhe u ulën në mënyrë paqësore.

Maqedonia mori një qeveri që është një komunitet interesant i dy partive, përkatësisht dy personave dhe dëshira për fitim të disave”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së./Tv21

Back to top button