Von der Leyen: Kosova ta pranojë Asociacionin, Serbia njohjen de facto

(Lajm i përditësuar)
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se Kosova duhet ta pranojë draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia duhet ta pranojë njohjen de facto të Kosovës.
Kështu është shprehur ajo në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, pas takimit të tyre të zhvilluar të hënën në Zyrën e Presidentes.
Sipas saj, dialogu është e vetmja mënyrë për të ecur para.
Von der Leyeni ka folur edhe për liberalizimin e vizave, për çka ka thënë se është mënyra e vetme për përafrim të njerëzve dhe përforcim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe BE-së.
Osmani: E kam lexuar e analizuar gjerë e gjatë propozimin për Asociacionin, por…
Presidentja Vjosa Osmani tha se nuk do të ngutet për ta vlerësuar si në përputhje me Kushtetutën e Kosovës draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga ndërkombëtarët.
Ndërsa, theksoi se e ka lexuar e analizuar “gjerë e gjatë” propozimin për Asociacionin, por që vlerësimin tha se duhet ta japë Gjykata Kushteutese.
“Aty parashihet që vlerësimin e kushtetutshmërisë së atij drafti do ta bëjë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, kështu që unë nuk do të ngutesha me e shpallë në përputhje me Kushtetutën. Kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese dhe është institucioni në Republikën e Kosovës që e bën atë vlerësim, natyrisht në qoftë se asaj i paraprin akti i nënshkrimit apo miratimit të atij draft-statuti siç parashihet. Kështu që atë vlerësim duhet ta bëjë gjykata”, tha ajo.
Osmani tha se do t’i japë vlerësimet e saj si komente në Kushtetuese në rast se pranohet dhe miratohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit sipas propozimit europian.
“Natyrisht që e kam lexuar. Jo vetëm lexuar, por analizuar me vëmendje të thellë, gjerë e gjatë, mirëpo vlerësimet e mia do t’i japë edhe me shkrim në momentin që ndodhin hapat e paraparë, pra në qoftë se kemi proces të nënshkrimit”, tha Osmani.
Ajo përsëriti se vlerësimi i përputhshmërisë së propozimit për Asociacionin me Kushtetutën nuk është serioze të bëhet tash.
Von der Leyen për sulmin e 24 shtatorit: Autorët duhet të sillen para drejtësisë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur rreth agresionit të Serbisë në Kosovë më 24 shtator.
Ajo në një konferencë për media të mbajtur pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, e dënoi fuqishëm sulmin ku u vra polici Afrim Bunjaku.
“Unë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të policit të vrarë”, tha ajo.
Von der Leyen tha se autorët duhet të sillen para drejtësisë.
“Ky sulm është i papranueshëm dhe bie ndesh me vlerat evropiane”, tha e para e KE-së në konferencën për media pas takimit më presidenten Osmani.
Osmani kërkon statusin e vendit kandidat për Kosovën në BE
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisonit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar vendin e statusit kandidat për Kosovën në BE.
“Vitin e kaluar Bashkimi Evropian mori vendime të rëndësishme duke i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës, Moldavia dhe Bosnje e Hercegovina, këto ishin vendim strategjike të cilat rikonfirmuan përkushtimin e BE ndaj vendeve që kërkojnë anëtarësim dhe i kundërpërgjigjen sifidimit ndaj regjimeve autoritare siç është i Putinit. Është e rëndësishme në mbledhjen e dhjetorit të Këshillit të BE-së, BE-ka të avancojë edhe statusin kandidat për Kosovën gjithnjë në një proces të bazuar me merita”, ka theksuar Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Serbia që t’i ekstradojë të gjithë individët që ishin të përfshirë në agresionin e 24 shtatorit nga grupi kriminal serb, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Osmani: Plani i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor, hap i rëndësishëm drejt integrimit në tregun evropian
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kishin diskutuar kryesisht për planin e ri të rritjes për Ballkanin Evropian.
Osmani në një konferencë të përbashkët për media tha se takimi i sotëm “u fokusua në planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, të cilin e prezantoi presidentja von der Leyen”, të cilin e quajti “hap të rëndësishëm drejt integrimit tonë në tregun e përbashkët europian”.
“Ky plan parasheh mbështetjen e Bashkimit Evropian nëpërmjet rritjes së asistencës financiare për reformat të cilat duhet të ndërmerren në procesin integrues”, tha Osmani.
Ursula von der Leyen në Kosovë, pritet nga presidentja Osmani
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka arritur në Kosovë. Ajo u prit nga presidentja, Vjosa Osmani.
Osmani dhe Von der Leyen pas takimit do të mbajnë një konferencë për media.
Ndërkohë presidentja e Komisionit Evropian do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurtin.
Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd, ku do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren, Ana Brnabiq.
Vizita e von der Leyen në Kosovë, Policia njofton për ndërprerje të përkohshme të trafikut
Policia e Kosovës njofton se gjatë vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në Kosovë.
Sipas njoftimit, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare, Policia thotë se do bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit dhe afër objekteve shtetërore, si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës gjatë mesditës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit dhe afër objekteve shtetërore, si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, bën të ditur Policia.
Ursula von der Leyen sot në Kosovë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë të hënën për vizitë në Kosovë.
Ajo në Prishtinë do të mbajë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Me Osmanin pritet të takohet në orën 13:30, ndërsa me Kurtin në 14:15.
Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd, ku do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren, Ana Brnabiq.
Ndryshe, vizita në Kosovë është në kuadër të një vizite katërditore në rajon, të cilën von der Leyen e ka nisur të dielën në Maqedoninë e Veriut.
Ajo gjithashtu do të qëndrojë për vizitë në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Vizita vjen pas takimeve që von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?