Vonesa e pagave në sektorin publik, Hoti: Pozitat me ushtrues detyre për të kontrolluar administratën

Ish kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar pasiqë në sektorin publik ende nuk janë ekzekutuar pagat.
Duke kritikuar këtë ai po ashtu ka shtuar se është dashur të bëhet një njoftim paraprak.
“Ministri i Financave edhe të dielën ishte shumë i angazhuar me inxhiniering të shifrave ekonomike për të portretizuar mesazhet politike, të cilat atij dhe ministrave të tjerë ua dikton partia. Por, nuk e kishte idenë se ditën tjetër nuk do të ekzekutoheshin pagat për rreth 85 mijë zyrtarë në sektorin publik. Kjo sjellje është neglizhencë ndaj detyrave ligjore që ka Ministri i Financave. Më e pakta që ai do të duhej të bënte është informimi paraprak se pagat nuk do të ekzekutohen, si dhe sqarimet për arsyet dhe hapat e ndërmarrë për zgjidhjen e çështjes. “, ka shkruar Hoti në Facebook.
Tutje ai ka theksuar faktin se në shumicën e institucioneve pozitat kryesore janë me ushtrues detyre, e një e tillë sipas tij po ndodh për shkak të ushtrimit të kontrollit mbi administratën shtetërore.
“Tendenca për të vendosur kontrollin mbi administratën shtetërore, duke lënë me ushtrues detyre pozitat kryesore po shkon në dëm të zyrtarëve shtetërorë dhe gjithë administratës.
Si mund të mbajnë shtet këta kur bëjnë lëshime të tilla?”, ka përfunduar Hoti./21Media