Vrasësit e 18 vjeçares në Ferizaj mund të dënohen me 5 vjet deri në burgim të përjetshëm
M.O, është vajza 18 vjeçare që ka humbur jetën të dielën në Ferizaj, pasi u keqtrajtua nga dy persona.
I dyshuari kryesor për vrasjen e M.O është 29 vjeçari Dardan Krivaqa, i njohur për Prokurorinë e Ferizajt edhe për vepra tjera penale. Krivqa është në arrati që nga dita kritike, kur së bashku me Arbër Sejdiun, 32 vjeçar, e kishin lënë viktimën në Spitalin e Ferizajt, pa shenja jete.
Ndërsa Arbër Sejdiu, i cili po dyshohet se ka kontribuar në vrasjen e 18 vjeçares, është arrestuar të dielën dhe sot ka dalë para Gjykatës së kësaj komune, shkruan rtv21.tv
Dy të dyshuarit, që sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajt, kanë keqtrajtuar dy ditë radhazi deri në vdekje viktimën, rrezikojnë t’iu shqiptohet dënimi prej 5 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Këtë e ka bërë të ditur për rtv21.tv avokati i njohur Artan Qerkini, i cili ka sqaruar se lartësia e dënimit varet nga shumë faktorë.
“Në radhë të parë varet nga kualifikimi juridik i veprës të cilin do ta vlerësojë Gjykata. Bazuar në atë që dihet deri më tani vepra penale do të mund të kualifikohet si “Vrasje” (neni 172 i Kodit Penal); “Vrasje e rëndë” (neni 173 i Kodit Penal); “Lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen (neni 186 par 5 i Kodit Penal). Marrë parasysh atë që u tha më lartë dënimi potencial i cili mund t’i shqiptohet kryresit të kesaj vepre penale është prej 5 vjet deri në burgim të përjetshëm. Natyrisht, në percaktimin e lartësisë së dënimit ndikojnë edhe shumë faktorë të tjerë siç janë: Mënyra e kryerjes së veprës, motivi, jeta e mëparshme, mosha e faktorë të tjerë”, ka deklaruar Qerkini.
Dënim të ashpër për kryesit e vrasjes së 18 vjeçares nga Ferizaj ka kërkuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo ka deklaruar se cenimi i lirisë, qoftë përmes ngacmimeve seksuale, shantazheve e deri te dhuna e vrasja janë të papranueshme dhe si të tilla duhet të trajtohen.
“Dënim maksimal dhunuesve e kriminelëve. Ky fenomen duhet të luftohet pareshtur. Dhuna nuk mund të normalizohet, si rrjedhojë duhet të dënohet ashpër”, ka deklaruar ministrja.
Vdekja e 18 vjeçares ka nxitur reagime të shumta në vendin tonë. Krerët institucional kanë kërkuar nga autoritetet e drejtësisë që të merren me urgjencë me rastin, ndërsa organizatat e ndryshme kanë kërkuar më shumë angazhim nga shteti për të mbrojtur jetën e femrave. Lidhur me këtë rast sot protestohet në Ferizaj./21Media