Vrasja e 14-vjeçarit, reagon Haxhiu

Mëngjesin e sotëm një 14 vjeçar ka vdekur si pasojë e plagëve të marra pasi është therur me thikë në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë.
Lidhur me këtë rast ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për çka tha se institucionet e vendit duhet të rrisin efikasitetin në të gjitha drejtimet.
Haxhiu ka thënë se nga njëra anë organet e rendit duhet të veprojnë, por edhe duhet të forcohen institucionet arsimore.

Ajo tutje ka shtuar se ndaj fëmijëve duhet të ketë siguri të plotë, që as aksidentalisht të mos iu ndodhin të tilla ngjarje.

“Bashkërisht, si shoqëri kemi për obligim ndërgjegjësimin ndër breza për të përbashkëtën, për vendin ku jetojmë e veprojmë, për institucionet e mbi të gjitha për njëri-tjetrin.
Organet përgjegjëse kanë për obligim të dyfishtë, që përmes mekanizmave që posedojmë t’iu ofrojmë sa më shumë qytetarëve mbështetje dhe shërbim në mënyrë që vendi ynë të mundësojë një ambient të shëndetshëm, për të gjithë dhe pa dallim. Si nënë, ndaj shqetësimin e plotë me të gjithë prindërit, duke kërkuar të shtojmë kujdesin dhe edukimin ndaj fëmijëve. Të gjithë sipas rolit e përgjegjësisë duhet të kujdesemi për ta. Duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin. Duhet të kujdesemi për të gjithë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Në një përgjigje për rtv21.tv zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Laureta Ulaj,  ka thënë se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.
Rasti ka ndodhur sot rreth orës 07:30./21Media
Back to top button