Vrasja e nxënësit në Prishtinë, Prokuroria flet për rastin

 
Një 14 vjeçar ka vdekur si pasojë e plagëve të marra pasi është therur me thikë në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë. Rasti ka ndodhur sot rreth orës 07:30.
Në një përgjigje për rtv21.tv zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Laureta Ulaj,  ka thënë se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Kujtim Munishi, prokurorja kujdestare e Departamentit të Krimeve të Rënda dhe e Departamentit për të Mitur, bashkë me njësitë e tjera relevante.
“Si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë (thikë), ka ndërruar jetë një të mitur (i moshës 14 vjeçare), ku vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me urdhër të prokurorit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion, derisa prokuroria në koordinim të plotë me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka njoftuar Ulaj.
Për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështje, si dhe zhvillimit të hetimeve, Ulaj ka thënë se në këtë fazë nuk mund të japin detaje të tjera./21Media

Back to top button