​Vrasja e adoleshentit në Francë, 150 të arrestuar pas protestave të dhunshme

Policia e Francës ka arrestuar 150 persona në natën e dytë të protestave në Paris. Qytetarët e revoltuar ndaj vrasjes së 17-vjeçarit Nahel nga policia, kanë dalë mbrëmjen e së mërkurës në protesta të dhunshme.

BBC raportoi se në Nanterre, ku u qëllua për vdekje 17-vjeçari, policia hodhi gaz lotsjellës ndaj grupeve që gjuanin gurë dhe dogjën kazanët e mbeturinave dhe automjetet.

Në një tjetër periferi të Parisit, një autobus thuhet se u zbraz nga pasagjerët përpara se t’i vihej flaka.

Ndërtesat publike u sulmuan edhe në Toulouse, Lyon dhe Lille, ndërsa policia u sulmua me gurë, shishe dhe fishekzjarre.

Qeveria franceze e kupton rrezikun që kjo situatë mund të kalojë shpejt në trazira të përhapura, të nxitura nga zhgënjimet e gjata mbi pabarazinë dhe sjelljen e policisë.

Vrasja e Nahel shkaktoi zemërim të madh te qytetarët, nga presidenti Emmanuel Macron deri te futbollisti Kylian Mbappe.

Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi fill pas ngjarjes, duke thënë se “asgjë nuk justifikon vdekjen e një të riu”.

“Dëshiroj të shpreh ndjenjat e të gjithë kombit për atë që ka ndodhur dhe vdekjen e të riut Nahel, dhe t’i tregoj familjes së tij solidaritetin tonë dhe përzemërsinë e kombit. Ne kemi një adoleshent që është vrarë. Është e pashpjegueshme, e pafalshme,” tha ai, duke shtuar se çështja u referua menjëherë në gjykatë, ku ai shpreson që drejtësia “do të bëjë punën e saj shpejt”.

Nahel M. Ishte ndaluar nga policia rrugore, derisa ai po ngiste një makinë të llojit Mercedes. Policia fillimisht kishte thënë se kishte qëlluar adoleshentin, pasi ai ishte nisur me makinë drejt tyre, por këto deklarata janë në kontradiktë me disa video që kanë qarkulluar në rrjetet sociale.

Në videot e publikuara shfaqen dy policë duke qëndruar pranë makinës së tyre të parkuar, teksa njëri prej zyrtarëve i drejton armën shoferit. Më pas dëgjohet një e shtënë, teksa makina që po ngiste adoleshenti, lëvizë për një kohë të shkurtër dhe më pas përplaset.

Back to top button